Një anije mallrash që po udhëtonte drejt enklavës ruse të Kaliningradit, në Detin Baltik, u godit nga dronë në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Finlandës të shtunën bënë të ditur autoritetet ruse dhe finlandeze çka e shtyu Finlandën të forcojë masat e sigurisë në zonë, shkruan Reuters.
Anija u dëmtua në perëndim të ishullit rus Gogland, mori flakë dhe më pas, duke lundruar pa kontroll, hyri në ujërat territoriale finlandeze, njoftuan Forcat e Mbrojtjes të Finlandës, duke konfirmuar kështu një version të dhënë më herët nga zyrtarët rusë.
Guvernatori i rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, tha se anija ishte sulmuar nga dy dronë në ujëra ndërkombëtare, rreth tri milje detare larg kufirit të Rusisë. Ai u shpreh se ekuipazhi po evakuohej dhe se po vlerësohej shkalla e dëmeve.
Ministria e Mbrojtjes e Finlandës njoftoi se ushtria kishte vendosur sërish kufizime të përkohshme për trafikun ajror dhe detar në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, si masë paraprake për të mbrojtur civilët dhe për t’u mundësuar autoriteteve të ndërhyjnë nëse do të ishte e nevojshme kapja e dronëve.
Ministria bëri të ditur se Finlanda i kishte informuar aleatët e saj lidhur me incidentin.
Departamenti i Policisë dhe Rojës Kufitare të Estonisë njoftoi përmes një deklarate me e-mail se ishte informuar për rënien e një zjarri në bordin e anijes ruse të ngarkesave “Sparta II”, dhe se, sipas të dhënave paraprake, në bord kishin ndodhur shpërthime.
“Lufta po përhapet në zonat tona fqinje. Autoritetet finlandeze po merren me situatën në Gjirin e Finlandës, ku një sulm me dron ka goditur një anije tregtare ruse. Ukraina ka të drejtë të luftojë kundër agresorit,” deklaroi kryeministri finlandez Petteri Orpo në platformën X.
“Situata nuk përbën rrezik për trafikun tjetër detar… Po bëhen përgatitje për operacione të mundshme shpëtimi, në bashkëpunim me autoritete të tjera në Finlandë dhe në nivel ndërkombëtar,” njoftoi Garda Kufitare Finlandeze përmes një deklarate.
Drozdenko gjithashtu bëri të ditur se 80 dronë ishin rrëzuar mbi rajonin e Leningradit dhe njoftoi heqjen e paralajmërimit për kërcënim nga dronët.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson shkroi në X se vendi i tij po e monitoron situatën dhe i ka ofruar ndihmë fqinjit të tij, Finlandës, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, tha se incidenti nuk përbënte asnjë kërcënim për furnizimet në rajon.
Goglandi ndodhet në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, rreth 40 km (25 milje) larg bregdetit të Finlandës.
Kaliningradi është një eksklavë ruse në Detin Baltik, midis Polonisë dhe Lituanisë, e cila herë pas here ka qenë një pikë tensioni midis Rusisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
/tvklan.al












Botërori 2026 
