Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha me raketa dhe dronë që prej fillimit të luftës në Ukrainë, duke goditur disa zona të vendit dhe duke shkaktuar të paktën tetë viktima. Sulmet kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike, hekurudhore dhe të transportit, ndërsa në kryeqytetin Kiev janë goditur edhe tri ura mbi lumin Dnipro.
Sulmi vjen një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se Moska do të hakmerrej ndaj Ukrainës për sulmet e përsëritura në urën që lidh Krimenë e pushtuar me rajonin rus të Krasnodarit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se Rusia lëshoi më shumë se 400 dronë dhe mbi 110 raketa, 27 prej të cilave balistike. Sipas tij, objektivat kryesore ishin infrastruktura energjetike, logjistika dhe rrjeti hekurudhor në disa rajone të Ukrainës.

“Ky ishte një nga sulmet më të mëdha”, shkroi Zelensky në Telegram, duke akuzuar Putinin se po përdor sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës për të kompensuar atë që ai e cilësoi si dështim ushtarak dhe diplomatik të Rusisë.
Presidenti ukrainas tha se sulmet u kryen në disa valë, me intervale të shkurtra prej 20 deri në 30 minutash mes tyre. Ndërkohë, banorët e Kievit u detyruan të strehoheshin në stacionet e metrosë, ndërsa shpërthime të shumta u dëgjuan në kryeqytet gjatë natës.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi se ishin goditur tri ura kryesore mbi lumin Dnipro: Podilsko-Voskresenskyi, Darnytskyi dhe Pivdennyi. Ai u bëri thirrje banorëve të shmangin udhëtimet me automjete drejt punës.

Sipas autoriteteve ukrainase, gjashtë persona humbën jetën në Kiev. Dy viktima të tjera u raportuan në qytetin perëndimor të Lvivit, ku një sulm goditi stacionin hekurudhor të Sknylivit. Të paktën 10 persona mbetën të plagosur në këtë zonë.
Forcat ajrore ukrainase njoftuan se arritën të rrëzojnë 380 dronë rusë, 79 raketa lundruese dhe tri raketa balistike.
Sulmet shkaktuan dëme edhe në sistemin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Autoritetet e Kievit thanë se tre punonjës të një ndërmarrjeje të ujësjellësit u vranë, ndërsa presioni i ujit ra në katër zona të kryeqytetit. Disa ndërtesa rrezikojnë të mbeten përkohësisht pa furnizim me ujë.
Ndërkohë, operatori ukrainas i energjisë, Ukrenergo, njoftoi për ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në rajonet perëndimore të Lvivit, Zakarpattias dhe Ivano-Frankivskut. Në Kiev, banorët e pesë zonave mbetën pa energji elektrike.
Dëme u raportuan edhe në infrastrukturën hekurudhore në disa rajone. Në qytetin e Dnipropetrovskut, pesë persona u plagosën pasi dronët goditën ndërtesa banimi, ndërsa në Kharkiv, katër persona mbetën të plagosur pas një sulmi me dronë ndaj një spitali.

Nga ana tjetër, Ukraina njoftoi se kishte goditur një stacion rus të pompimit të naftës në Tatarstan, pjesë e rëndësishme e tubacionit Druzhba, si dhe tri sisteme ruse të lëshimit të raketave balistike.
Përshkallëzimi i sulmeve ka ngritur shqetësime edhe në vendet fqinje. Ministri polak i Mbrojtjes deklaroi se gjatë sulmit rus, hapësira ajrore e Polonisë u shkel nga tri objekte, që sipas vlerësimeve paraprake mund të kenë qenë dy raketa dhe një dron. Ai e cilësoi incidentin si një provokim rus.
Ndërkohë, Estonia njoftoi se nga 1 dhjetori do të mbyllë pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë, për arsye sigurie. Vendimi vjen pas akuzave ndaj shërbimeve ruse të sigurisë për një tentativë zjarrvënieje ndaj një kompanie estoneze të mbrojtjes.
Në planin diplomatik, vendet europiane po kërkojnë të përfshihen në negociatat për përfundimin e luftës, nga frika se vendimet që lidhen me sigurinë e kontinentit mund të merren pa pjesëmarrjen e tyre. Kjo kërkesë vjen pas një samiti mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe bisedimeve të ndërmjetësuara nga Uashingtoni mes Moskës dhe Kievit në Abu Dhabi, ku vendet europiane nuk ishin të pranishme.
Reuters thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur të gjitha raportimet për sulmet. Të dyja palët mohojnë se kanë shënjestruar civilët.












Botërori 2026 
