Veliu: Makina pa targa nuk pati materiale zgjedhore

Ky është momenti kur një nga të plagosurit e ngjarjes në Elbasan, Pavlo Vuksani shoqërohet në komisariat. Ai është i plagosur në kokë. Në qeli po mbahet ish-efektivi i forcave RENEA, Arbër Paplekaj që u vetëdorëzua pas ngjarjes dhe që para hetuesve ka deklaruar se qëlloi për vetëmbrojtje.

Ndërsa sqaroi dinamikën e përplasjes me armë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu tha se kishin qenë pjesëtare të shtabit të Partisë Demokratike që lajmëruan policinë pasi dyshonin se në një makinë tip Mercedes-Benz ML pa targa, një person me emrin Mehmet Greca shpërndante para për blerjen e votave. Veliu tha se përplasja me armë nisi kur forcat e policisë ishin prezent në vendngjarje, por pa saktësuar kush qëlloi i pari me armë.

“Gjithashtu këta shtetas kanë deklaruar se janë vullnetarë të mbrojtjes së votës për partinë demokratike. ata qarkullonin me tre furgonë të bardhë dhe të loguar me siglën e kësaj force politike. Pas mbërritjes së forcave të policisë, konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve dhe për pasojë ka mbetur i varrë shtetasi pjerin xhuvani dhe janë plagosur shtetasit emiljan prenga, pavlo vuksani, eltjon bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “shqiponjat”, Xh.S”.

Veliu u pyet nga gazetarët se kush qëlloi i pari por tha se kjo ishte një detaj që i përkiste hetimeve, por ai saktësoi se në vendngjarje nuk janë gjetur materiale zgjedhore.

“Nga këqyrja e automjetit tip Benz ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës”.

Në Policinë e Elbasanit vijon shoqërimi i personave që dyshohet se janë të përfshirë apo kanë dijeni për ngjarjen.

Në vendngjarje janë sekuestruar 20 gëzhoja të kalibrave 9 dhe 11.1 milimetra,  4 predha, tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celularë dhe pamje filmike.

Akuza të rënda janë ngritur ndaj autorit të vrasjes, Arbër Paplekaj sipas prokurorëve, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Tv Klan