Policia e Vlorës në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik ka nisur ditët e fundit një aksion për kontrollin e vijës bregdetare me qëllim parandalimin e krimeve mjedisore, kryesisht ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje. Gjatë kontrolleve të ushtruara në Dhërmi, forcat e policisë proceduan penalisht disa persona, të cilët gjatë punimeve për përgatitjet për sezonin turistik kanë ndotur mjedisin duke hedhur inertet në rrugë dhe në hapësira publike dhe jo në vendet e përcaktuara për këtë qëllim.

“Kemi proceduar penalisht disa shtetas në lidhje me këtë vepër penale dhe përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje operatorëve turistikë dhe banorëve të zonave bregdetare, të mos ndotin mjedisin, duke hedhur inertet e mbeturinat në rrugë dhe të mos kryejnë ndërtime, pa leje pasi do përgjigjen ligjërisht”, tha Drejtori i Policisë Vlorë, Ermal Muçaj.

Për të siguruar një ambient të sigurt dhe të pastër dhe mikpritës për të turistët gjatë periudhës së sezonit turistik policia fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të ndërtimeve pa leje, ndotjes së mjedisit dhe të çdo paligjshmërie tjetër, duke i garantuar atyre anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e ligjor.

Tv Klan