“Skënderi më thirri me u taku të hënën dhe shpresojmë që ka porositë kryeministri…”
Ky ishte mesazhi i dërguar nga ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi, të cilët kanë pasur komunikime periodike të përditshme, sipas dosjes së SPAK-ut.
Gazetari, Elvi Fundo, në lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Opinion”, TV Klan, sqaroi se posedon disa faqe nga dosja hetimore që vërtetojnë këto komunikime, por theksoi se fragmentet nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën.
Sipas tij, është e vështirë të jepet një sqarim përfundimtar, por shprehu mendimin personal se prapa fjalës “porosi” mund të qëndronte ndonjë kërkesë për të verifikuar çështjen e Agasit, dhe jo ndonjë udhëzim direkt për vetë Hysenin.
“Unë kam dhe disa faqe të tjera, por nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Unë mendoj, në gjykimin tim, ndonjë porosi që KM-ja i ka thënë Skënder Hitës që ‘shiko, më shiko çështjen e Gysit’. Se s’ka pse të vinte kjo, se atje dukej qartë mos ka ndonjë porosi KM-ja. KM-ja, po të kishte porosi për këtë zonjën, ia kishte dhënë vetë KM-ja nga takimet që vinte kjo në Nju Jork”, tha Fundo.
Nga ana tjetër, gazetari Eni Ferhati solli detaje lidhur me kronologjinë e ngjarjeve, duke përjashtuar mundësinë që “porosia” të kishte si synim shmangien e arrestimit të biznesmenit.
“Mesazhi në fjalë i referohet në gusht 2026, përkon ditë e mërkurë dhe ajo e informon Ergys Agasin që do e takojë ditën e hënë, që përkon data 24 gusht. Më 26 gusht ai është arrestuar. Kështu që për këtë episod, nuk e di çfarë ka mbrapa, por kuptohet në këtë rast që nuk ka pasur ndonjë porosi nga kryeministri që të mos arrestohet Ergysi. Ndërkohë që takimi që zonja Hyseni i ka treguar Ergys Agasit, është zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe për shkak të agjendës së përhershme, po themi, që drejtori i përgjithshëm i Policisë zhvillon me titullarin e SHISH-it për çështje që lidhen me punën, terrorizmin, e të tjera me radhë”, tha Ferhati.
/tvklan.al












Botërori 2026 