Arabia Saudite kishte ëndërruar t’i kthente portet e saj në shtyllën kurrizore të strategjisë së diversifikimit ekonomik. Brenda planit ambicioz Vision 2030, të formuluar nga princi i kurorës dhe udhëheqësi de facto i vendit, Mohammad bin Salman, zhvillimi portual ishte kyç për të ardhmen e mbretërisë.

Por strategjia saudite në Detin e Kuq po përballet me sfida serioze, pasi kjo rrugë detare është kthyer në një fushëbetejë që prej nisjes së sulmeve të rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare, si reagim ndaj luftës në Gaza të filluar më 7 tetor 2023. Që prej vitit 2024, portet kryesore saudite, King Abdullah dhe Xhedah, po vuajnë nga një rënie e ndjeshme e trafikut.

Rikonfigurimi portual

Porti King Abdullah, i inauguruar në vitin 2014 për të kapur tregun ndërkombëtar të transbordimit në Detin e Kuq (ku një anije ngarkon mallin në një tjetër më të vogël), ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 82.7% të trafikut ndërmjet viteve 2023 dhe 2024, nga gati 3 milionë kontejnerë standardë (EVP) në pak më shumë se 500 mijë, sipas Middle East Eye, në kulmin e sulmeve të milicisë huthi.

Ndërkohë, porti i Xhedahut, më i madhi në vend, ka rezistuar më mirë ndaj rënies së trafikut për shkak të rolit të tij jetik në importin e mallrave drejt pjesës lindore të vendit. Por ndikimi i rebelëve jemenas mbetet i rëndë: trafiku ka rënë me 33.4%, duke u ulur në 3.7 milionë EVP në 2024, nga 5.59 milionë një vit më parë.

Sipas gazetës detare Lloyd’s List, trafiku në Detin e Kuq është stabilizuar në rreth 200 kalime anijesh në javë, një mesatare që nga fundi i 2023, ndërkohë që para 7 tetorit kalonin rreth 500 anije. Sulmet e fundit të korrikut nga Huthit po ushqejnë një klimë të vazhdueshme pasigurie.

Në anën tjetër të mbretërisë, porti i Dammamit, i treti më i madh në vend dhe i hapur ndaj Gjirit Persik, është një nga përfituesit e vetëm të kësaj rikonfigurimi. Në vitin 2024, ai ka shënuar një rritje prej 42.7% të trafikut, duke arritur 3.3 milionë EVP, sipas Lloyd’s List. I paprekur nga sulmet e Huthive, Dammam është kthyer në pikë hyrëse të preferuar për tregun saudit, veçanërisht nga eksportuesit kinezë.

Pavarësisht pasigurisë aktuale, autoritetet saudite vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën portuale të Detit të Kuq. Në qershor, dy operatorët kryesorë të kontejnerëve në vend, Red Sea Gateway Terminal (RSGT) dhe Saudi Global Ports (SGP), fituan koncesione 20-vjeçare për ndërtimin e terminaleve të reja shumëfunksionale, me një investim prej 586 milionë dollarësh. Paralelisht, autoriteti portual saudit Mawani ka shpallur investime shtesë në portet e Dammamit dhe Jubailit në Gjirin Persik, për të garantuar furnizimin e vendit.

Në mënyrë befasuese, të tre portet kryesore saudite kanë përparuar në renditjen e 100 porteve më të mëdha të kontejnerëve në botë, sipas klasifikimit të vitit 2024 nga Lloyd’s List: Xhedahu ka kaluar nga vendi i 42-të në të 32-in, King Abdullah nga i 71-ti në të 70-in, ndërsa Dammami nga vendi i 90-të në të 82-in.

Një Det i Kuq gjithnjë e më i rrezikshëm

Deti i Kuq është një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale, me 14% të trafikut të përgjithshëm detar dhe 30% të trafikut të kontejnerëve që kalojnë aty. Që nga fundi i vitit 2023, sulmet e Huthive në ngushticën Bab el-Mandeb kanë tronditur rrjetin global të furnizimit. Rebelët kanë sulmuar më shumë se 100 anije tregtare që nga nëntori 2023, duke detyruar shumë transportues të ndjekin një rrugë më të gjatë përmes Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë për të arritur në Evropë.

Trafiku detar në këtë zonë ra me 55% nga 2023 deri në mars 2024, sipas Forumit Ndërkombëtar të Transportit. Edhe pse Huthit i pezulluan sulmet gjatë armëpushimit në Gaza në janar 2025, rifillimi i luftimeve pas një lufte 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në korrik, solli rikthimin e sulmeve. Më 6 dhe 9 korrik, rebelët e mbështetur nga Teherani sulmuan dy anije greke, duke rrëmbyer edhe ekuipazhin e njërës prej tyre.

Vizioni sfidohet

Zhvillimi i bregut të Detit të Kuq është një pikë qendrore në kalimin e Arabisë Saudite nga ekonomia e varur nga nafta në një model të ri zhvillimi. Porti i përfshirë në projektin gjigant Neom, simbol i këtij transformimi, është drejt përfundimit në zonën portuale të Oxagonit. Këtë javë, një konvoj tregtar testues ka kaluar nga Egjipti drejt Irakut, sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve.

Por ky projekt gjigant përballet me vështirësi ekonomike për shkak të rënies së çmimit të naftës, dhe qeveria ka njoftuar së fundmi shkurtimin e madhësisë së qytetit futurist. Po ashtu, projektet portuale saudite hasin konkurrencë në rritje nga portet e reja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Egjipt.

/tvklan.al