17 nëntor 2026 – Aktori, regjisori dhe karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu, ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan për t’i prezantuar publikut librin e tij “Portret i ambalazhuar me gazeta”.

Një përmbledhje e intervistave dhe daljeve televizive përgjatë 50 viteve, të gjitha të botuara nëpër gazeta të ndryshme, Bujar Kapexhiu i ka përmbledhur në një vëllim të vetëm “veshur” me humor dhe satirë për ta bërë sa më tërheqës për lexuesin.

“Janë intervista, biseda, mendime të ndryshme gjatë 50 vjetëve në kontakt me gazetarët duke u treguar mendimet e mia, ngjarje të shumta që kanë një tis humori për ta bërë sa më të këndshëm për lexuesin. Kudo ta hapësh do të gjesh batuta, pyetje, përgjigje. Është shumë sportive në të lexuar”, tha Kapexhiu.

Titulli i përngjan imazhit të Kapexhiut teksa lexon në gazetë intervistën e tij. Nëpër faqe, lexuesi do të udhëtojë së bashku me aktorin e mirënjohur nëpër kohë e periudha të ndryshme të jetës së tij. Do të njihet me histori, personazhe të takuar përgjatë jetës, me aventura e humor.

“Filloi me gazetat dhe aty del portreti im duke lexuar gazetat. I gjeta një titull tërheqës dhe të veçantë. Aty jam unë në familje, në punë, në shkollë, nëpër aktivitet artistike me njerëz të tjerë dhe me raportet. Jam brenda vendit dhe jashtë vendit, se me ne shqiptarët ka shumë aventura interesante jashtë shtetit. Janë me humor dhe ndonjëherë të habitshme”, tha Kapexhiu.

Librat e fundit të Bujar Kapexhiut “Seferi në demokraci” dhe “Portret i ambalazhuar me gazeta” do t’i gjeni në të gjitha libraritë si dhe në Panairin e Librit që do të zhvillohet në fund të muajit dhjetor.

/tvklan.al