Raportim Live

Çfarë përmban rezoluta e sapomiratuar kundër Iranit

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 79 vota pro këtë të martë, më 17 mars një rezolutë “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Por çfarë përmban kjo rezolutë?

Rezoluta e sapo miratuar parashikon që Kuvendi i Shqipërisë:

Pika 1: Dënon me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.

Pika 2: Dënon gjithashtu sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit të Shqipërisë.

Pika 3: Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme.

Pika 4: Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.

Pika 5: I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që:

– të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike;
– të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere në parandalimin dhe luftimin e financimit të terrorizmit dhe aktiviteteve të lidhura me strukturat shtetërore iraniane;
– të mbështesë nismat në organizatat ndërkombëtare që synojnë përgjegjshmërinë për aktet e terrorizmit, sulmet kibernetike dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste,

– të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit, duke iu bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Hollandës dhe një numri shtetesh anëtare të BE-së si dhe vende të tjera, të cilat e kanë ndërmarrë më parë këtë përcaktim.

Pika 6: U bën thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Pika 7: Rikonfirmon përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe mbrojtjes së civilëve nga aktet e terrorit.

Pika 8: Udhëzon që kjo Rezolutë t’i përcillet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverive aleate, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përkatës.

Miratohet me 79 vota pro rezoluta

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro rezolutën që shpall Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Vendimi u miratua vetëm me votat e mazhorancës pasi Partia Demokratike nuk mori pjesë në seancën e sotme.

download app

Kapri: Rezoluta servile

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, deklaroi se rezoluta do të merrte më shumë kuptim nëse qeveria do të ishte perëndimore.

“Kjo rezolutë do merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do ishte vërtetë perëndimore dhe do sillej e tillë para se të sillte rezoluta servile të këtij lloji që sigurisht ka një vlerë për ti treguar botës që shiko Shqipëria është pjesë e Perëndimit, por kjo është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës”, tha ai.

Muçi: Të jemi në anën e duhur jo vetëm në interesin e më të fortëve

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, kërkoi nga mazhoranca që të ishte në anën e duhur jo vetëm në interesin e më të fortëve, por edhe për të “mallkuarit e botës” duke iu referuar palestinezëve.

“Kryeministri shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Benjamin Netanyahu-t, një njeri që akuzohet për krime lufte dhe që masakroi 70 mijë palestinezë”, tha ai.

“Vazhdojmë ta denoncojmë represionin e Iranit, por që të jemi seriozë të kishit miratuar para pak muajsh rezolutën që dënon gjenocidin e shtetit serb ndaj Kosovës”, tha Muçi.

Pr/rezoluta kundër Iranit, Balla kritikon opozitën: S’dolën dot nga interesi i vogël për një protestë pa krye

Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla mbajti një fjalim ku ftoi të gjithë deputetët e pranishëm që të votojnë për miratimin e rezolutës “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Balla gjatë fjalës së tij shprehu keqardhje për mungesën e opozitës në Parlament.

“Keqardhje për mungesën sot në këtë seancë të deputetëve të 3 grupeve parlamentare të opozitës, të cilët nuk ditën në një moment solemn, nuk dolën sot mbi interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër protestë pa krye, të vinin në seancën e Kuvendit të Shqipërisë dhe të mbështesnin këtë qëndrim të domosdoshëm, urgjent dhe të nevojshëm në këtë kontekst të ri pas zhvillimeve, pas sulmit kibernetik. Por edhe për zhvillimet që lidhen me bllokimin e Kanalit të Hormuzit. Jo për ta parë si akt formal, por si përpjekje të qartë si një vend që brenda vitit 2030 do jetë vend anëtar në BE.”, deklaroi Balla… Lexo më shumë

Me 79 vota pro, Kuvendi shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Parlamenti është mbledhur ditën e sotme në një seancë ku pritet të kalojë një projektrezolutë për shpalljen e Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin.

Në këtë seancë nuk merr pjesë Partia Demokratike, e cila e konsideron si të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit.

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS-së,Taulant Balla është shprehur se Shqipëria me këtë iniciativë qëndron përkrah aleatëve të saj strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në projektrezolutën e propozuar në Kuvend, Shqipëria dënon vendimet e Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës.

Po ashtu, dënohen sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike.

Parlamenti i bën thirrje qeverisë përmes projektrezolutës që të forcojë masat kombëtare dhe ndërkombëtare për të luftuar terrorizimin e sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimet kibernetike si dhe të bashkëpunojë ngushtë me vendet aleate dhe partnere.

Përveç Iranit si shtet që sponsorizon terrorizimin Shqipëria kërkon shpalljen si organizata terroriste të Gardës Revolucionare dhe Hezbollahut.