Demokratët kanë vendosur të mos marrin pjesë në Kuvend të martën, 17 mars, duke e konsideruar seancë të paligjshme, e thirrur në kundërshtim të hapur me Rregulloren.
Duke e cilësuar sallën e Parlamentit “një dyqan personal të kryeministrit Edi Rama dhe që nuk i shërben interesit publik”, Partia Demokratike bën apel që të gjithë t’i bashkohen protestës që do të mbahet të dielën e ardhshme, më 22 mars.

“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit.
Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik.
Në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, ai është kthyer në një instrument antidemokratik në shërbim të Kryeministrit, duke penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit dhe duke u shndërruar në një pengesë serioze për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për këtë arsye, opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve.
Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit.
Sepse problemi real i Shqipërisë sot është një qeveri që është kthyer në rrezik kombëtar. Prandaj opozita është e vendosur të qëndrojë me qytetarët dhe të udhëheqë betejën për ndryshim, luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit, si dhe një qeverisje të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve”, thuhet në postimin e shpërndarë në Facebook-un e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Kujtojmë se pavarësisht kundërshtive të forta nga ana e opozitës, në seancën e shkuar, mazhoranca rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
PD kërkoi që të votohej pro kërkesës, duke parashtruar edhe argumentet e tyre në raportin rekomandues. Protestuan edhe jashtë ambienteve të Parlamentit, por pa shkaktuar incidente si herët e tjera.
Teksa partia më e madhe opozitare në vend përgatitet për një “riformatim” të brendshëm në maj, fokusin e kanë edhe te protesta e radhës, me synimin kryesor largimin e qeverisë nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike.
Jo më larg se sot, 16 mars, kryedemokrati Sali Berisha e paralajmëroi kreun e qeverisë se “dosja e tij nuk është e mbyllur dhe se populli do i tregojë vendin, duke e dërguar në bankën e të akuzuarve”.












Botërori 2026 
