Protagonistët e ngjarjeve historike të viteve ’90 – ’92 që shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj i sjell në librin e tij të dytë “Fillimet”, u mblodhën bashkë për të ndarë rrëfimet e tyre.

Vetë Zogaj, një nga pjesëmarrësit e atyre ngjarjeve që shënuan ndarjen nga e kaluara e errët dhe e ardhmja e Shqipërisë, e cilëson takimin e tij si autor me personazhet realë të librit si të veçantë dhe të mbushur me emocione.

“Specifika e këtij takimi që ka qenë dhe synimi, të themi të vërtetën, për t’u ulur e për të shkruar këtë libër, lidhet me rolin jashtëzakonshëm, të disa njerëzve të jashtëzakonshëm, të cilët kanë protagonizmin e tyre. Kanë prodhuar ngjarje të jashtëzakonshme”, u shpreh Zogaj.

Gjergj Livadhi, një nga protagonistët e atyre zhvillimeve të vrullshme, kujton se si me miqtë e tij ndërmorën aktin e guximshëm për të rrëzuar bustin e Stalinit në Shkodër.

“Ishte një plan shumë simpatik. Këndohej nëpër rrugë vazhdimisht prej grupeve të ndryshme. U sensibilizua populli. Shkodra ka qenë më e persekutuara”, tha Livadhi.

Një tjetër personazh te “Fillimet” e Zogajt është Ylli Bodinaku, i cili shumë i ri në atë kohë ndërmori aktin e guximshëm për të shembur murin e ambasadës gjermane me kamion.

“Ishte sakrificë për jetën, se po të kapeshe në atë kohë… Ishte levizje e madhe, unë mora dhe dy kalamajtë edhe ikëm”, tha Bodinaku.

Me një parathënie nga gazetari Blendi Fevziu, “Fillimet” e Preç Zogajt nisin që me ngjarjet e para dhe kulmojnë me rënien e regjimit komunist, të cilin ata që e përjetuan dhe ishin protagonistë do ta kujtojnë si emocionin më të bukur të jetës.

Tv Klan

/tvklan.al