Ndërsa vazhdojnë polemikat mbi ligjshmërinë e votimit të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës, prefekti Ruzhdi Keçi, personi që vulos përfundimisht procesin e hyrjes në fuqi të këtij drafti, sqaron në mënyrë më të detajuar se buxheti nuk mund të lëvrohet me një votim të tillë.

Ruzhdi Keçi: “Shqetësimi juaj që nëse nuk është marrë vendim, do të fillohen të lëvrohen fondet, merr këtë përgjigje. Dega e thesarit Tiranë, nuk mund të lëvrojë, nuk mund të hapi asnjë lloj llogarie dhe të punojë pa një vendim të këshillit. Kjo do të thotë që detyrimisht duhet vendimi i këshillit, ndryshe bashkia mund të kishte filluar dhe para mbledhjes së këshillit dhe s’kishte nevojë për miratim këshilli dhe mund ta bënte, mund ta ekzekutonte buxhetin. Por është krejt e pa mundur, pa një vendim të këshillit të fillojë të ekzekutohet buxheti”.

Rregullorja e funksionimit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës në nenin 19 të saj shprehet qartë se votat numërohen nga sekretaria e këshillit dhe rezultatet i jepen kryetarit të këshillit për tu deklaruar, më pas vendimi i kalon prefektit për firmën finale përmes kryetarit të këshillit bashkiak. Por në rastin konkret, kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës e quajti votimin të pa vlefshëm. Në këtë linjë prefekti Keçi thotë për TV Klan, se me votimin e mbrëmjes së martës ligjërisht ai nuk mund të kryhej asnjë veprim.

 Ruzhdi Keçi: “Miratimi i buxhetit është pjesë e vendimmarrjes së një këshilli bashkiak dhe sikurse çdo vendim tjetër i një këshilli qoftë ky komunal apo bashkiak merr fuqi ligjore, fillon ekzekutimin në momentin pasi është konfirmuar për bazushmërin ligjore nga prefekti i qarkut. Rrjedhimisht edhe në rastin konkret për buxhetin e Tiranës, ai nëse është miratuar do të vij në prefekturë dhe do të shikohet, do të trajtohet për të parë bazueshmërinë ligjore të tij dhe pastaj do të shprehet prefekti. Mbledhjen e drejton kryetari i këshillit, kryetar i këshillit bashkiak, është shprehur që vendimi është nul. Do të thotë që kjo mbledhje nuk ka konkluduar me një vendim dhe mua akoma s’më ka ardh asnjë lloj vendimi të kësaj mbledhje. Sepse vendimet vijnë nëpërmjet kryetarit të këshillit bashkiak”.

Një ditë pas këtij votimi kryebashkiaku Rama deklaroi se buxheti hyri në fuqi, duke e quajtur këtë një çështje të mbyllur. Por siç sqarojë dhe prefekti Keçi, pa një vendim të këshillit bashkiak dhe pa firmën e tij përfundimtare buxheti do duhet të kalojë sërish për votë./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi

Montazh: Ergis Hasanbelli