Dëshira e kahershme e Monika Lubonjës për t’i sjellë publikut të madh e të vogël “Annie”, musicalin me rekorde vënie në skenat ndërkombëtare, por për herë të parë në atë shqiptare, u konkretizua në mbrëmjen e së shtunës në “ArTurbina”.

Kjo është Amerika e depresionit të madh. Annie është një nga vajzat e braktisura nga prindërit në jetimoren e drejtuar nga zonja Hannigan, një grua e pamartuar që i keqtrajton fëmijët. Ato janë të kequshqyera, të keqveshura dhe të detyruara të bëjnë punë të lodhshme fizike.

Dëshirat dhe lutjet e këtyre fëmijëve do të dëgjohen pasi më i pasuri i vendit, Oliver Warbucks, birëson Annie, kujdestarja e jetimores arrestohet për mashtrim dhe Warbucks angazhohet se do t’i ndihmojë fëmijët të gjejnë një familje adoptuese.

Vënia në skenë e “Annie” me protagonistë fëmijët, mbi 60-të, që luanin teatër, kërcenin dhe këndonin ishte një sipërmarrje sfiduese.

Regjisorja Adelina Muça: Janë të gjitha karaktere më vete dhe kanë një alegri, dhe japin një energji në skenë, e cila i bën jashtëzakonisht mirë edhe aktorëve të rritur. 

Blerina Arbana: Të punosh me 60 fëmijë në skenë, nuk ka qenë e lehtë.

Po aq ishte edhe për aktorët profesionistë.

Erjona Kakeli: E them me gojën plotë, që për mua aktorët më të mirë në këtë musical janë fëmijët. 

Musicali nuk i foli vetëm publikut, por edhe fëmijëve që mes tyre kishin.

Regjisorja Adelina Muça: Këtu na kanë ardhur dhe fëmijë vullnetarë të cilët janë jetim dhe gjithashtu ne kemi hapur derën edhe për fëmijë që janë me aftësi ndryshe.

Monika Lubonja: Të gjithë fëmijët kanë qenë fëmijë që kanë punuar me mua që tek Teatri i Kukullave. Tashmë, duam s’duam, ne do t’i quajmë artistët e vegjël. 

Tv Klan