Spartak Ngjala, një nga figurat politike në Shqipëri në vitin 2001, ka qenë kandidat për deputet në zonën 38 të Tiranës. Ai ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 18 Maj 2001. I pyetur për premtimet ndaj qytetarëve gjatë fushatës elektorale, Spartak Ngjala tha se do të mbronte interesat e qytetarëve në të gjitha sferat dhe instancat e strukturimit të shoqërisë.

“Unë kam qenë ministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe isha ministër bilateral, i dy forcave, edhe i Partisë Demokratike edhe i Partisë Lëvizja Legaliteti. Problemi atëherë ishte kompleks dhe Lëvizja Legaliteti donte patjetër Ministrinë e Drejtësisë, sepse këtu do të vinte mbreti dhe ne e dinim që do të bëhej referendumi për Monarki ose Republikë. Ishte çështja e referendumit që kërkonte sërish një argument juridik dhe ishte edhe ardhja e Leka Zogut që kërkonte po ashtu një argument juridik, sepse nuk lejohej të hynte në Shqipëri me pasaportën e tij, e cila ishte e monarkisë”.

“Për faktin që kam pasur marrëdhënie shumë të mira me këtë parti, për faktin që jam i pari që kam ngritur problemin e referendumit, argumentuar juridikisht në funksion të ecurisë juridike të shtetit shqiptar dhe për faktin që PLL dhe PD ishin në aleancë, unë u ofrova si ministër i Drejtësisë. Kishte një kompromis mes dy partive, të cilin unë e pranova dhe nuk më doli keq. Unë jam anëtarësuar në Partinë Demokratike”.

“Kur kam kandiduar për Bashkinë e Tiranës shumë seksione të qytetit të Tiranës ma kërkuan si gjest dhe unë e kam bërë, jam anëtarësuar që në verë. Marrja e një tesere është e domosdoshme në momentet kur ke të bësh me një parti të organizuar, aq më tepër kur bëhet fjalë për një parti që e provoi veten në pyllin e pluralizmit shqiptar. Unë kam qenë që prej themelimit të Aleancës Demokratike dhe ata e dinë shumë mirë se përse jam larguar dhe qytetarët e dinë gjithashtu”.

“Unë nuk kam vazhduar atëherë për shkak se partia shkonte drejt një aleance majtas, gjë të cilën unë nuk e pranoja. Ndërkohë që në themelim të saj aleati ynë natyror ishte PD. Premtimi im për qytetarët është që do të mbroj interesat e tyre në të gjitha sferat ose instancat e strukturimit të shoqërisë shqiptare dhe kjo nuk është pak”, tha Ngjela. / tvklan.al