“I bëj thirrje sërish të gjithë individëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe Policisë së Shtetit të ruajë qetësinë dhe të evitojë përdorimin e panevojshëm të dhunës ndaj protestuesve”

. Ishte kjo thirrja e tretë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pas akteve të dhunës në protestën e opozitës, e cila vijon që prej orës 18:30.

Thirrjet e kreut të shtetit për distancim nga dhuna kanë qenë të vazhdueshme. Më herët ai u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunshme dhe nga individët, të cilët rrezikojnë policët. Reagimi i Presidentit erdhi pasi protestuesit e zhvendosur para godinës së parlamentit hodhën bomba molotov, sende të forta, e mjete piroteknike në drejtim të godinës.

Një një tjetër reagim, në një njoftim për mediat nga zyra për shtyp e kreut të shtetit, thuhej se

 “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve

.

Protesta e kësaj të shtune degjeneroi në dhunë. Protestuesit përdorën bomba molotov në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit. Nuk munguan as sendet e forta, tymueset, fishekzjarret etj. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Protesta e nisur tek Kryeministria, u zhvendos tek Parlamenti, e më pas tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, pas shoqërimit të Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi.

Të paktën 13 efektivë policie mbetën të plagosur si pasojë e dhunës, ndërsa probleme nga gazi kanë shfaqur edhe disa protestues, numri i të cilëve nuk dihet.

/tvklan.al