Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Lajmi konfirmohet nga vetë shtypi i Presidencës. Ky takim vjen pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, për të disatën herë.

Nuk bëhet me dije se çfarë ka arritur dyshja nga ky takim, por është në dispozicion të arritjes së ngritjes së institucioneve në Kosovë, pra gjetja e një të “mesme të artë” për të gjitha partitë politike.

Kujtojmë se sot Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për të vënë Albulena Haxhiun në krye të Parlamentit. Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të axhendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Haxhiu e LVV-së konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Sakaq, ky nuk është takimi i parë i Osmanit me një nga krerët e partive, pasi ditën e enjte Presidentja takoi përfaqësues të partive politike, por sërish nuk u arrit një dakordësi për konstituimin e Kuvendit.

/tvklan.al