Ai ishte i pari që u kontaktua në Shkurt dhe i pari që u takua në Londër! Dhe tani, pasi ra pista për Fabio Paratici-n u largua nga klubi, Igli Tare është sërish favoriti i madh për t’u bërë drejtori i ri sportiv i Milanit.

51 vjeçari shikohet si njeriu i duhur te kuqezinjtë për t’i besuar një rol qendror, vendimtar, plot përgjegjësi dhe ndikim.

Dhe janë pikërisht këto detyra që do të diskutohen në takimin e afërt mes Giorgio Furlani, CEO i klubit, dhe ish-drejtorit sportiv të Lacios, raporton “Corriere dello Sport”.

Furlani është në kërkim të një drejtori sportiv që ai vetë e cilëson si tradicional. Me fjalë të tjera, Milanit i duhet një figurë e fushës që të merret në vazhdimësi dhe intensitet, që propozon dhe ndan me pjesën tjetër të drejtuesve zgjedhjet teknike në lidhje me trajnerin, dhe afrimet e largimet e futbollistëve.

Ky lloj drejtuesi i ka munguar “Djallit” në dy sezonet e fundit.

Gara për drejtorin sportiv nuk duhet të zgjatet përtej muajit Prill. Ndaj takimi me Taren pritet të realizohet shumë shpejt.

Drejtori i ri sportiv do të duhet që të ketë kohë për të analizuar, takuar dhe zgjedhur trajnerin e ri, pasi të ketë eksploruar mjedisin dhe të vendosë për të ardhmen e disa lojtarëve në skuadër dhe çështjen delikate të rinovimeve.

Sezoni i ri nuk është larg dhe Milani, pas një viti me plot vështirësi, duhet të bëjë gjithçka për të mos qenë sërish i papërgatitur.

Klan News