”Pro Business” një emision nga Oljana Maloku në Tv Klan.

“Italoptik” 31 vjet në shërbim të cilësisë dhe stilit optik në Shqipëri

Italoptik përfaqëson një histori suksesi dhe përkushtimi, e cila filloi më 5 janar 1994. Për 31 vjet me radhë, ajo ka mbajtur me krenari kurorën e cilësisë, stilit dhe standardeve më të larta në fushën e optikës në Shqipëri. Emisioni Pro Business në Tv Klan na tregon se historia e kompanisë filloi kur Z.Andrea Lula, në bashkëpunim me partnerë italian, hapi dyqanin e parë optik në Shqipëri, pikërisht pranë Selvisë, në të njëjtin lokacion ku ndodhet edhe sot. Italoptik është një optikë e mirëfilltë që ofron shërbimin e plotë: duke filluar nga kontrolli i shikimit nga mjekët më me emër, deri te ofrimi i syzeve. Me një staf të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, dhe me pjesëmarrje të vazhdueshme në panairet ndërkombëtare më të rëndësishme, klinika ofron një siguri të pakrahasueshme për pacientët. Sistemi teknologjik i përdorur përfshin makineritë më të fundit, ndërsa produktet janë më cilësoret në treg, të importuara direkt nga fabrikat më prestigjioze në Itali dhe Evropë. Një nga hapat më të veçantë për 30-vjetorin e kompanisë ishte lançimi i brendit ItalOptik. Ideja lindi nga dëshira për t’iu ofruar klientëve shqiptarë diçka unike, duke ditur shijen e tyre të rafinuar. Sipas Znj. Romina Lula, Administratore, kur flitet për krijimin e brendit, theksohet se çdo produkt është i prodhuar dhe i çertifikuar në Itali, duke përdorur materialet më cilësore në treg. Kështu, ai u bë një ide “Made in Albania”, por me një prodhim 100% italian. Kërkesa për këtë brend të ri ka qenë, sipas saj, “shumë impresionuese”, me klientë të kënaqur që vijnë të zgjedhin një brend shqiptar me cilësi ndërkombëtare. Në përgjithësi, Italoptik ofron një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme prej rreth 250 brendesh, Në emisionin “Pro Business” në TV Klan, Romina Lula, administratore e ItalOptik, foli hapur për historinë, përvojën dhe vlerat e kompanisë, duke theksuar rëndësinë e cilësisë, profesionalizmit dhe luftën kundër informalitetit në tregun optik.
“ItalOptik me të vërtetë është krijuar nga babai im dhe bazë ka pasur bashkëpunime me
italianët. Ne bashkëpunojmë ende sot e kësaj dite me 2 kompani shumë të fuqishme në Itali,” tha Lula. Njëra prej këtyre kompanive, e specializuar në prodhimin e lenteve (xhamave), ka një përvojë mbresëlënëse prej 85 vjetësh në treg, ndërsa partnerja tjetër, që prodhon korniza për syze, ka 62 vjet eksperiencë. “I gjithë produkti ynë është italian,” theksoi ajo, duke vërtetuar prejardhjen dhe cilësinë e lartë të produkteve. Investimi në Teknologji dhe Specialistë të Kualifikuar Një nga shtyllat kryesore e suksesit të ItalOptik është investimi i vazhdueshëm në teknologji dhe në kapitalin njerëzor. Lula theksoi me krenari se kompania e ka mbajtur gjatë gjithë këtyre 31 vjetëve stafin e refraksionistëve më të mirë në vend. “Ne kemi mbajtur për 31 vjet refraksionistët më të mirë në vend… janë ndër më të mirët në treg dhe për këtë jam shumë e lumtur dhe krenare,” deklaroi ajo. Ky përkushtim garanton që çdo pacient të marrë një diagnostifikim të saktë dhe një zgjidhje optike të personalizuar. Romina Lula vuri në dukje një problematikë gjithnjë e më të shqetësuesme: rritjen e problemeve të shikimit te moshat e reja (20-30 vjeç), kryesisht për shkak të përdorimit të zgjatur të ekraneve dixhitale. “Syri ynë nuk është bërë për të qëndruar për orë të gjata para ekraneve dixhitale… automatikisht ai sforcohet dhe në këtë rast bie procesi i shikimit,” paralajmëroi ajo. Ajo sqaroi se përdorimi i syzeve të specializuara është një zgjidhje efektive për të lehtësuar këtë sforcim dhe për të përmirësuar shikimin. Një Paralajmërim i Rëndësishëm: Rreziku i Syzeve “Fake”. Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të saj iu kushtua një paralajmërimi të fuqishëm kundër blerjes së syzeve diellore fake, të shitura shpesh në plazhe ose në pika jo të licencuara. “Doja të sensibilizoja gjithë publikun: mos të kenë tendencë të blejnë syze, sidomos në plazh, pra
‘syze të vjedhura’, sepse ato janë imitime. Syzet origjinale mund të gjenden vetëm në dyqanet e licencuara optike,” deklaroi kategorikisht Lula. Ajo vuri në dukje se edhe për profesionistët është vështirë të dallojnë imitacionet moderne, e çka të thuash për konsumatorët e zakonshëm. “Prandaj, më e mira do të ishte që personat t’u drejtohen dyqaneve optike të licencuara për të blerë syzet e diellit origjinale,” këshilloi ajo, duke shtuar se edhe markat më pak të njohura ofrojnë filtra të nevojshëm mbrojtës.

Informaliteti në ekonomi, sektorët ku është më prezent

Ekonomia shqiptare vazhdon të luftojë me një fenomen të vjetër, por shumë të gjallë: informalitetin. Bizneset e paregjistruara, të ardhurat e padeklaruara dhe punësimi jashtë kontratës mbeten një realitet shqetësues që shtrembëron konkurrencën dhe i privon shtetin të ardhurave thelbësore.
Ky fenomen jo vetëm që nxit evazionin fiskal dhe konkurrencën e pandershme, por lë mijëra punonjës pa asnjë lloj mbrojtjeje sociale. Aspektet kryesore të informalitetit në Shqipëri përfshijnë punësimin informal, evazionin fiskal, bizneset joformale dhe ndikimin e korrupsionit në administratë.
Sektori informal është i pranishëm kudo, por KU ËSHTË MË I SHUMTI INFORMALITETI?
tre degë të rëndësishme të ekonomisë duken se e ndiejnë më shumë peshën e tij: Turizmi: Pavarësisht rritjes së tij të shpejtë, shumë aktivitete të lidhura me turizmin funksionojnë pa rregullimin dhe standardizimin e duhur. Kjo çon në ofrimin e shërbimeve me cilësi të ulët dhe konkurrencë të pandershme për bizneset e ndërgjegjshme. Task-forcat e shpeshta të autoriteteve janë një dëshmi e problemit të vazhdueshëm në këtë sektor. Ndërtimi: Ky sektor karakterizohet nga një përqindje e lartë e punësimit informal, ku shumë punëtorë operojnë pa kontrata, pa sigurim shoqëror dhe shpesh në kushte të pastandartizuara. Kjo paraqit një kërcënim jo vetëm për të drejtat e punëtorëve, por edhe për cilësinë dhe sigurinë e projekteve. Bujqësia: Si një nga sektorët me fuqi punëtore më të lartë, bujqësia është tejet e prekur nga informaliteti. Shumica dërrmuese e punëtorëve nuk kanë kontrata formale, gjë që i lë të pambrojtur dhe ul konkurrueshmërinë e përgjithshme të sektorit.
INFORMALITETI NË PUNË DHE NË SHITJET ONLINE.
Sipas INSTAT, në 2024, përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor ishte 24.7%, duke rënë me 1.7% krahasuar me vitin 2023. Për të kuptuar masën e problemit, mjafton të kujtojmë se në 2022, kjo shifër ishte 29.4% e punësimit total (pa bujqësinë). Një fushë e re, por jo më pak të prekur, është E-Commerce. Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se një 80-90% e shitjeve online në Shqipëri kryhen në mënyrë informale, duke krijuar një treg të tërë paralel. Ndikimi makroekonomik i informalitetit është gjithashtu masiv. Vlerësime të ndryshme tregojnë se sekretori informal përbën rreth 30-35% të PBB-së së Shqipërisë. Kjo do të thotë se një e treta e ekonmisë sonë funksionon në hije. Autoritetet, veçanërisht Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve, po punojnë për të kufizuar këtë fenomen. Disa nga rezultatet e para janë: Një rritje prej 7,491 tatimpagues të regjistruar për Tatimin në Burim në Gusht 2025, krahasuar me të njëjtën muaj një vit më parë. Gjatë 9-mujorit të vitit 2025, janë mbledhur 128.7 miliardë lekë kontribute sigurimesh shoqërore, ose 13.9 miliardë lekë më shumë se në periudhën e njëjtë të 2024-s.

Ekonomia informale. Një kërcënim i vazhdueshëm për bizneset dhe konsumatorët

Në një shqyrtim të thellë të realitetit ekonomik vendas, në emisionin “Pro Business”, ekspertja e çështjeve ekonomike Romina Radonshiqi vë në dukje një nga sfidat më të rëndësishme dhe kërcënuese për ekonominë shqiptare: informalitetin. Sipas Radonshiqit, ekzistenca e bizneseve informale krijon një konkurrencë të pandershme dhe të pabarabartë, ndaj bizneseve që operojnë me ndershmëri dhe konform të gjitha detyrimeve ligjore. Thelbi i këtij problemi qëndron në faktin se një biznes informal ka mundësinë të ulë artificialisht çmimin e produktit apo shërbimit të tij, duke shmangur detyrimet tatimore dhe kontributive. Por kërcënimi i ekonomisë informale nuk ndalon vetëm te bizneset. Radonshiqi e vë në dukje një rrezik të fshehur, por shumë të rëndësishëm për konsumatorin: produktet e rreme. Ajo paralajmëron se shumë produkte, veçanërisht ato që shiten nëpër platforma online, shfaqen pa kupon tatimor dhe pa një etiketë të duhur informuese që shpjegon si duhet të përdoren, duke cenuar kështu të drejtën themelore të konsumatorit për informim. Shpesh, konsumatori bëhet palë në këtë lojë të rrezikshme pa e ditur, duke menduar se një çmim më i ulët i sjell një përfitim të menjëhershëm. Megjithatë, dëmi që i shkaktohet shëndetit ose konsumit të tij është shumë herë më i lartë se kursimi i vogël në çmim që ofron kompania informale. Për sa i përket shtrirjes së këtij fenomeni, Radonshiqi thekson se pothuajse të gjithë sektorët ekonomikë janë të prekur në një masë a në tjetër. Ajo e nis analizën nga bujqësia, e cilë e përshkruan si një sektor tepër sensitiv që ndodhet në një gjendje të thellë informaliteti, të shkaktuar kryesisht nga një kulturë e gabuar biznesi ku mendohet se do të fitohet më shumë duke operuar jashtë kornizave ligjore. Ky fenomen shtrihet më tej në tregti, ku cënohet siguria ushqimore dhe kushtet e ruajtjes së produkteve, si dhe në turizëm, ku prania e hoteleve formalë mund të shoqërohet me punonjës të paformalizuar në sektorë si akomodimi dhe shërbimet e restoranteve. Gjithashtu, sektori i ndërtimit është një tjetër fushë e njohur për praninë e gjërë të informalitetit. Si zgjidhje për këtë problem kompleks, ekspertja përmend një përpiekjeje të koordinuar midis autoriteteve, bizneseve dhe konsumatorëve.

/tvklan.al