10 shtator 2026- Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë të enjte në eventin për prezantimin e Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, “Rilindja 2.0”
Ai prezantoi filozofinë e Partisë Socialiste, ndërsa tha se dy mijë kredi do të jepen me interes prej tre për qind, për të gjitha ato apartamente, që vlera e tyre në treg është mbi 60 mijë euro. Kryesocialisti theksoi se prioritet absolut janë çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen.
“Dy mijë kredi të tjera do jenë me interes 3%, për apartamente që janë mbi 60 mijë euro. 3000 familje me qira të subvencionuar në masën 50% në vitin 2027.
Me prioritet çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen. 30 % e politikës sonë do jenë strehim social, 40 % strehim i përballueshëm dhe 30 të tjera do jenë shitje në treg të lirë”, tha ai.
Kreu i qeverisë pohoi se 3% e taksës së ndërtimit do jetë pjesë e Fondit Kombëtar të Strehimit.
“3% e taksës së ndërtimit do të jetë pjesë e Fondit Kombëtar të Strehimit”, theksoi ai.
Rama adreson çështjen e parkimeve
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se një plan është menduar dhe për adresimin e çështjes së parkimeve, një element ky, i cili shqetëson qytetarët në përditshmërinë e tyre.
Sipas Ramës, këto nuk janë zotime për efekt elektoral, por pjesë e programit të Partisë Socialiste për “Shqipërinë 2030”.
“Parkimet, edhe ato janë konsideruar si elementë të nevojshëm për t’u futur në këtë program të ri, ku 50% shiten me banesat dhe 50% e tyre jepen me qira. Këto që thashë nuk janë zotime për zgjedhje, por janë piketa të Programit Kombëtar të Strehimit, i cili do të materializohet përmes Parlamentit me ligjin e ri. Besimi im i plotë është që brenda 2030, të kemi një arsye më shumë për krenarinë e shumicës qeverisëse, që bazuar në rezultate që do ketë e gjithë kjo politikë e re e strehimit në Rilindjen 2.0 “, tha Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 