10 shtator 2026 – Kryeministri Edi Rama ka zbuluar këtë të enjte detajet e reformës së re në fushën e strehimit, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, “Rilindja 2.0”.
Rama bëri me dije se drafti i ri ligjor për strehimin do të kalojë së shpejti në konsultim publik dhe më pas në Parlament, ndërsa janë plot gjashtë programe të reja, të cilat, sipas tij, do të adresohen së bashku në një reformë tërësore.
“Janë 6 programe të reja, që do t’i adresojmë të gjitha sëbashku, nuk kam parasysh shpikje kur them të reja, por janë të ambalazhuar sëbashku në një reformë tërësore”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë shpjegoi se programi i parë lidhet me banesat sociale me qira, por me një qasje të re.
Sipas tij, nuk do të bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e banesave dhe më pas pritjen në radhë për përfituesit, pasi do të përdoren disa instrumente, përfshirë ndërtimin e ri, blerjen direkte nga tregu dhe përshtatjen e objekteve shtetërore apo të konfiskuara.
“Dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program i cili do të bëhet më kompleks dhe jo thjesht e vetëm prit të ndërtohet edhe pastaj të kesh shansin të marrësh një banesë në një radhë të gjatë ku nuk i dihet si përfundon seleksioni”, tha Rama.
“Do të parashikohet ndërtim i ri, blerje direkte nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara. Kemi konfiskuar jo pak objekte dhe do të konfiskojmë çdo objekt që shkel rregullat për lejet e ndërtimit. Patjetër edhe bonusi i qirasë… Do të përdorim të gjithë instrumentet!”, shtoi ai.
Programi i dytë do të fokusohet te banesat me kosto të ulët, përmes subvencionimit nga shteti të kredisë, ndërsa pjesë e reformës do të jenë edhe përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël dhe ndërhyrjet infrastrukturore në zonat informale.
Numri një i kabinetit bëri të ditur gjithashtu se do të ketë programe për banesat e përkohshme për personat e prekur nga fatkeqësitë natyrore, si dhe banesa të veçanta për individët me aftësi të kufizuara.
“Banesa me kosto të ulët, një program që lidhet me subvencionin nga ana e shtetit të kredisë, duke pasur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët. Përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël si dhe një program i veçantë infrastrukturë në zonat informale dhe për të adaptuar banesa të caktuara si ato sociale. Banesat e përkohshme për të prekurit nga fatkeqësitë natyrore dhe banesat e veçanta është programi i gjashtë, për familjet me persona me aftësi të kufizuara, apo për individët me aftësi të kufizuara”, u shpreh kryeministri.
4 mijë çifte të reja, 2 mijë kredi me interes zero
Një tjetër premtim i rëndësishëm i bërë nga Rama lidhet me çiftet e reja.
Kryeministri njoftoi se objektivi është që 4 mijë çifte të reja të pajisen me çelësin e një apartamenti, sipas kritereve që do të përcaktohen.
“Do të pajisim 4 mijë çifte të reja me çelës shtëpie! Sipas kritereve që do të bëhen të qarta kuptohet, por këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën. 4 mijë çifte të reja, të ndarë sipas kategorive, 2 mijë kredi me interes zero!”, paralajmëroi ai.
Rama theksoi se për apartamentet e vogla, me vlerë deri në 60 mijë euro, kredia do të zerohet.
“Për çdo apartament nën 60 mijë euro, pra apartamentet e vogla, dua të theksoj se politikat janë ndërtuar mbi bazën e një studimi me standardet europiane! Ne do të zerojmë kredinë! 2 mijë kredi”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se programi synon krijimin e blloqeve të banimit me standarde dhe cilësi për të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Duam blloqe banimi dinjitozë për të gjitha shtresat. Ndërkohë që ata më të varfrit kanë mbështetjen më të madhe, ata më të kamurit do të blejnë aty. Zonat e reja të strehimit do të jenë cilësorë në çdo aspekt”, nënvizoi ai.
Afro 31 mijë familje të mbështetura deri tani
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se deri tani janë mbështetur 30 904 familje nga programet e strehimit në Shqipëri. Ai riktheu gjithashtu objektivin për 50 mijë çelësa, duke theksuar se ky nuk është një objektiv elektoral, por pjesë e përgjegjësisë së qeverisë.
“Janë 30 904 familje të mbështetura nga programi i strehimit në Shqipëri! 50 mijë çelësa nuk janë një objektiv i hedhur në ajër para një fushate që për ne nuk ishte sfidë e mirëfilltë në aspektin e fitores, por të barrës së madhe të përgjegjësisë që kërkuam”, deklaroi Rama.
Ibrahimaj: 26 bashki përfituese
Nga ana tjetër, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri me dije se 26 bashki janë përfituese të programit. Ajo tha se struktura e familjes shqiptare ka ndryshuar, ndërsa Tirana përbën sot 32% të popullsisë së vendit.
“Kemi më pak banorë, por më shumë familje. Madhësia e familjes shqiptare ka ndryshuar, sot është me 3.2 banorë dhe peshën më të madhe e zënë familjet me dy anëtarë, jo me katër siç ishte në të kaluarën. Tirana ka 32% të popullsisë së vendit, por edhe zona të tjera kanë patur rritje të fluksit”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, tashmë është momenti për një sistem kombëtar të integruar të strehimit.
“Ka ardhur momenti që paratë të investohen në strehim, që të kujdesemi për të gjitha kategoritë që janë në kërkim të një banese, sepse kultura jonë është e lidhur rrënjësisht me pronën dhe banesën. Kemi përgatitur një paketë ligjore dhe shumë shpejtë do të dalim me instrumentat që do të lançohen”, deklaroi ministrja.
Ndërkohë, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, bëri me dije se rreth 700 familje do të përfitojnë nga programi aktual, ndërsa sipas tij programi do të zgjerohet edhe më tej në vitin 2027.
“Janë rreth 700 familje që do të përfitojnë dhe bashkitë kanë rol proaktiv nga pikëpamja e financimit. Në 2027-ën programi do të jetë akoma më i madh”, deklaroi Demo.
/tvklan.al












Botërori 2026 
