Prokurorja e specializuar: Do të vazhdojmë ndjekjen penale të atyre që pengojnë drejtësinë

Prokurorja e specializuar e Kosovës, Kimberly West, tha se mirëpret aktgjykimin e 17 nëntorit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të akuzuarve të tjerë për pengim të drejtësisë, duke paralajmëruar vazhdimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale për raste të ngjashme.
“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme, të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë te dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë, pavarësisht statusit apo postit të tyre”, tha West përmes një komunikate.
Ajo theksoi se ndërhyrjet te dëshmitarët dhe zbulimi i informacioneve konfidenciale cenojnë integritetin e proceseve gjyqësore.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë të jetë e palëkundur në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave kundër administrimit të drejtësisë për të mbrojtur sundimin e ligjit”, tha ajo.
Pse Gjykata e konsideron të rëndë ndërhyrjen te dëshmitarët?
Gjykata Speciale në Hagë theksoi se përpjekjet për të penguar punën e personave zyrtarë gjatë një procesi gjyqësor, përbëjnë sulm ndaj integritetit të sistemit të drejtësisë.
Në aktgjykimin e 17 nëntorit, Gjykata konstatoi se ish-presidenti Hashim Thaçi u kishte zbuluar vizitorëve në paraburgim informacione konfidenciale për dëshmitarë të Prokurorisë dhe, përmes tyre, kishte përcjellë udhëzime se si duhej të dëshmonin disa prej tyre.
Këto veprime, sipas Gjykatës, shkelën urdhrat që synonin të ruanin konfidencialitetin e informacioneve dhe të ndalonin kontaktet me dëshmitarët.
Masa të tilla shërbejnë për të mbrojtur dëshmitarët nga ndërhyrjet e mundshme dhe për të siguruar që dëshmitë e tyre të jepen pa ndikime të jashtme.
Gjykata e shpalli Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke e dënuar me 17 muaj burgim.
Çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare për dënimin e Thaçit?
Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë në Hagë është pasqyruar nga disa media ndërkombëtare, përfshirë Associated Press, gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe agjencinë turke Anadolu.
Agjencia amerikane, Associated Press, ka raportuar për deklaratën e Thaçit se vendimi ishte politik dhe jo drejtësi.
Gazeta gjermane, FAZ ka theksuar se Gjykata i ka vërtetuar disa, por jo të gjitha akuzat ndaj Thaçit. Ajo ka vënë në dukje se Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burgim, ndërsa Gjykata shqiptoi dënim prej 17 muajsh.
FAZ ka rikujtuar gjithashtu se ky është aktgjykimi i dytë i shkallës së parë ndaj Thaçit brenda dy muajsh, pas dënimit me 25 vjet burgim për krime lufte, më 16 shtator.
Ndërkaq, agjencia Anadolu ka raportuar për dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve dhe konstatimet e Gjykatës lidhur me përpjekjet për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin për krime lufte.
OVL-UÇK: Vendimi ndaj Thaçit ishte i pritshëm, por i papranueshëm
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) e ka cilësuar “të pritshëm, por të papranueshëm” aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në rastin për pengim të drejtësisë.
Në një reagim në Facebook, organizata akuzoi Gjykatën se po ndjek një agjendë politike, duke pretenduar se vendimet e saj u shërbejnë interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj.
“Kjo gjykatë, edhe një herë, dëshmoi se nuk po arrin të shkëputet nga agjenda politike që e ka shoqëruar që nga themelimi i saj”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK-ja paralajmëroi se do të vazhdojë të kundërshtojë vendimet që i konsideron të padrejta dhe përpjekjet që, sipas saj, synojnë njollosjen e luftës së UÇK-së.
U dënua sërish nga Haga, reagon Thaçi: Padrejtësi që nuk ndreqet me padrejtësi tjetër
Ish-kreu i UÇK-së dhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që u dënua sot më 17 nëntor me 17 muaj burg për pengim të drejtësisë, ka reaguar.
Në një postim në profilin zyrtar të ish-kreut të shtetit të Kosovës, thuhet se sot u vulos një padrejtësi.
Sipas Thaçit, kjo është një padrejtësi, që nuk ndreqet me një padrejtësi tjetër.
“Një padrejtësi nuk ndreqet me një padrejtësi tjetër”, shkruan Thaçi.
Çitaku e quan të turpshëm dhe të papranueshëm aktgjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar “të turpshëm” dhe “të papranueshëm” aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin ish-presidenti Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Në një reagim në Facebook, Çitaku shprehu zhgënjim dhe shqetësim për vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke vënë në pikëpyetje administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.
“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj gjykate”, shkroi ajo.
Çitaku paralajmëroi veprime politike, juridike dhe diplomatike në përgjigje të vendimit.
“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”, tha ajo, duke përsëritur mbështetjen për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përfundon seanca për shpalljen e aktgjykimit në Hagë
Ka përfunduar seanca në Gjykatën Speciale në Hagë, ku u shpall aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë.
Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht.
Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.
Hajredin Kuçi dënohet me një muaj burgim me kusht
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht.
Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse Kuçi nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Fadil Fazliu dënohet me 12 muaj burgim
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Fadil Fazliun me 12 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Megjithatë, ai do të lirohet pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ia mbulon dënimin e shqiptuar.
Isni Kilaj shpallet i pafajshëm, lirohet pas seancës
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur të pafajshëm Isni Kilajn për akuzat në rastin për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell urdhëroi lirimin e tij pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ia mbulon dënimin e shqiptuar.












Botërori 2026 