Avokati: Nuk e kontrollonte ai UÇK-në, por komandantët
Në ditën e dytë të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, radha ishte e palës mbrojtëse për të dhënë argumentet. Për ish-kreun politik të UÇK-së, Hashim Thaçin, i cili e shpalli veten të pafajshëm, ky do të jetë rrugëtimi drejt të vërtetës dhe drejtësisë.
“E drejta dhe vërteta janë parime të çmuara për mua. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pavarësisht nga përkatësia. Viktima s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm nga të gjitha këto akuza. Jam gati që të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen, popullin dhe vendin tim”.
Ai tha se ky proces është ngritur mbi dyshimet e Dik Martit për trafikim organesh që nuk u vërtetuan kurrë.
“Kur raporti i Dick Marty mbushi titujt e mediave me akuza të sajuara për trafik organesh nga unë dhe ushtria, unë kërkova që të hetohej nga gjykata ndërkombëtare në mënyrë të pavarur. Një Gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se “Shtëpia e Verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë. Gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr“.
Duke mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi deklaroi se ai nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime dhe se nuk kishte mundësi të parandalonte krimet që ndodhnin, pasi sipas tij pushteti real u takonte komandantëve të zonave.
“Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi se mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe Këshillin e Sigurimit. Por e kundërshton pretendimin se janë kryer nga udhëheqja e UÇK-së”.
Ben Emerson, avokati i Kadri Veselit hodhi poshtë akuzat se krerët e UÇK-së kanë shfrytëzuar pozitat për të eliminuar apo përndjekur kundërshtarët politikë. Sipas tij, shumica e anëtarëve të UÇK-së ishin mbështetës të LDK-së.
Geoffrey Roberts, avokati i Rexhep Selimit, tha se në aktakuzën ndaj klientit të tij nuk ka asnjë aludim se ai ka urdhëruar ndonjë prej krimeve të pretenduara.
Të hënën u dëgjuan zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave. Sipas Gjykatës Speciale, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 