Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit për Shqipërinë me kryefjalë dialogun mes protestuesve dhe qeverisë si dhe në parlament mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës.

“Qeveria ka vazhduar të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj integrimit në BE. Mungesa e një dialogu të mirëfilltë politik dhe e aktiviteteve të konsultimit publik, si dhe përplasjet mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, vijuan që të kufizojnë efektivitetin e Parlamentit. Parlamenti nuk arriti që të zbatojë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi me konsensus i rregullores së brendshme të ndryshuar përbën një zhvillim pozitiv. Megjithatë, paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese apo institucionet e pavarura, kanë kontribuar në kufizimin e mbikëqyrjes së qeverisë nga ana e Parlamentit”, thuhet në raportin e KE.

Duke iu referuar protestave të përditshme që nga muaji maj i vitit 2026, Komisioni Evropian kërkon që të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv.

“Protesta të përditshme kanë ndodhur që nga muaji maj i vitit 2026. Protestat u nxitën nga shqetësimet për ruajtjen e mjedisit sidomos lidhur me punimet ndërtimore në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poro – Nartë u shndërruan në një lëvizje më të gjerë e cila kërkon transparencë, llogaridhënie, masa kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Kjo është lëvizja qytetare më e madhe në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, ku dhjetëra mijëra pjesëmarrës iu bashkuan protestës në kulmin e saj. Duke u mbështetur tek lëvizja qytetare, në muajin tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave ndodhën incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”, thuhet në raportin e KE.

Një vlerësim të veçantë ka marrë puna e SPAK.

“Rezultatet në luftën kundër korrupsionit kanë mbetur të qëndrueshme për rastet e nivelit të lartë dhe janë përmirësuar për rastet e niveleve të tjera, ndonëse nevojiten përpjekje të mëtejshme në këtë drejtim. Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka vijuar që të sjellë rezultate të mira dhe të shënojë përparim të prekshëm në krijimin e një bilanci të qëndrueshëm sa i përket hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në çështjet e korrupsionit.Shqipëria duhet të rrisë ndjeshëm numrin e referimeve drejt SPAK-ut nga autoritetet e tjera, numër i cili mbetet ende shumë i ulët. Vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në çështjet e korrupsionit ka mbetur e kufizuar. Gjatë vitit 2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga SPAK-u arriti në 45,4 milionë euro; megjithatë, vetëm 1,2 milionë euro lidheshin me procedime për korrupsion të niveleve të larta, ku vlera e pasurive të konfiskuara ishte rreth 100 000 euro”, njoftoi KE.

Një vlerësim të veçantë ka marrë vendi ynë për reformat në kuadër të planit të rritjes për rajonin tonë.

“Shqipëria është angazhuar në mënyrë aktive dhe ka filluar zbatimin e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke mbuluar të katër shtyllat e tij. Shqipërisë i vihen në dispozicion mbi 920 milionë euro në formë grantesh dhe huash përmes këtij mekanizmi. Deri më tani, Komisioni Evropian ka konstatuar se Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat që duhet të realizohen deri në dhjetor të vitit 2025. Gjithashtu, Shqipëria ka shënuar përparim të ndjeshëm edhe në shumicën e hapave të tjerë”, njofton KE.

Në raport thuhet se një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

/tvklan.al