Një artikull përmbledhës i publikuar nga gazeta italiane Corriere della Sera, bazuar në miliona dokumente të brendshme të Deutsche Bank, hedh dritë mbi transaksionet financiare të kompanive të Donald Trump dhe lidhjet e tyre të mundshme me rrjete ndërkombëtare të pastrimit të parave. Dokumentet ngrenë pikëpyetje mbi origjinën e disa pagesave dhe mënyrën se si banka i ka trajtuar këto operacione ndër vite.
Që prej vitit 2014, kompanitë e Donald Trump kanë marrë pagesa nga burime të dyshimta, përfshirë kompani guaskë të lidhura me skema të pastrimit të parave në Rusi dhe Azerbajxhan. Këto skema dyshohet se janë përdorur nga zyrtarë dhe biznesmenë të fuqishëm për të fshehur origjinën e parave dhe, në disa raste, për të korruptuar politikanë të huaj.
Këto të dhëna janë publikuar nga media investigative ruse në mërgim iStories, në kuadër të një hetimi të bazuar në dokumentet e brendshme të Deutsche Bank. Bëhet fjalë për rreth 15 milionë dokumente të rrjedhura, të shqyrtuara nga një grup mediash ndërkombëtare, mes tyre Financial Times, Der Spiegel, Le Monde dhe The New York Times.
Pagesat e dyshimta, që prej vitit 2014
Sipas iStories, në gusht të vitit 2014, Deutsche Bank raportoi pranë autoriteteve amerikane një transaksion të dyshimtë që përfshinte DT Marks Baku, një kompani e lidhur me Donald Trump.
Në atë kohë, Trump nuk ishte ende president, por kishte prej vitesh interesa biznesi në Rusi dhe synime për të hyrë në politikën amerikane.
Në raportin e saj, banka theksonte se nuk kishte arritur të përcaktonte qëllimin tregtar të pagesës dhe as marrëdhënien mes dërguesit dhe përfituesit të parave.
Sipas dokumenteve, kompania e Trump kishte marrë tre transferta nga një klient i degës estoneze të Danske Bank, banka më e madhe në Danimarkë. Kjo degë ishte përfshirë në një rrjet të gjerë pastrimi parash me origjinë nga Rusia dhe vende të tjera ish-sovjetike dhe më vonë u mbyll.
Një tjetër pagesë para zgjedhjeve të vitit 2016
Në maj të vitit 2015, pak para se Trump të shpallte kandidaturën e tij të parë për president, Deutsche Bank evidentoi një tjetër transaksion të dyshimtë.
Këtë herë, pagesa prej pak më shumë se 140 mijë dollarësh u krye nga kompania britanike Faberlex drejt THC Baku Services, një tjetër kompani e lidhur me Trump.
Sipas hetimit të iStories, Faberlex ishte pjesë e një rrjeti të madh pastrimi parash, të zbuluar nga Organizata për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).
Transaksione të dyshimta edhe në vitin 2018
Në shkurt të vitit 2018, Deutsche Bank përfshiu në raportin e saj një tjetër pagesë mes THC Baku Services dhe një kompanie të lidhur me të ashtuquajturën skemë ruse të pastrimit të parave. Emri i kësaj kompanie nuk bëhet i ditur në dokumentet e publikuara.
Sipas një dokumenti të zyrës së Deutsche Bank në New York deri në vitin 2020 kompanitë e Trump ishin përfshirë në transaksione të dyshimta me vlerë mbi 3 milionë dollarë. Një pjesë e tyre lidhej me subjekte të përfshira në skema të dyshuara të pastrimit të parave ruse dhe azere.
Projekti sekret i Deutsche Bank për Trump
Dokumentet tregojnë gjithashtu se në janar të vitit 2020, dy kompanitë e lidhura me Trump, DT Marks Baku dhe THC Baku Services, u përfshinë sërish në një raport për transaksione të dyshimta. Këtë herë, banka evidentoi lëvizje financiare që përfshinin persona dhe kompani të lidhura me një skemë të pastrimit të parave në Azerbajxhan.
Ndërkohë, pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Deutsche Bank kishte nisur një projekt të brendshëm me emrin “New Order” (Rendi i Ri), që përfshinte Trump-in, familjarët e tij, anëtarët e administratës dhe bashkëpunëtorët e tij.
Trump kishte qenë prej kohësh klient i bankës, e cila i kishte dhënë qindra miliona dollarë kredi për bizneset e tij të pasurive të paluajtshme. Por, pasi ai hyri në politikë, Deutsche Bank e klasifikoi atë dhe rrethin e tij të ngushtë si “klientë të mbrojtur”.
Ky klasifikim kufizonte qasjen në informacionet financiare për ta, madje edhe brenda vetë bankës.
Hetimi i iStories ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Deutsche Bank i trajtoi këto transaksione dhe nëse informacionet për lidhjet e mundshme me rrjetet e pastrimit të parave iu vunë në dispozicion autoriteteve amerikane.
/tvklan.al












Botërori 2026 
