Në 25-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkencëtarit dhe politikanit Lekë Gjiknuri botohet vepra e autorit Eris Rusi, dedikuar kontributit të shquar që akademiku dha në shkencat e natyrës dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në veprën “Lekë Gjiknuri, jeta e një shkencëtari” trajtohet njeriu që përsosi veten, arsimi ku ai kontribuoi pareshtur, si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por edhe në pozicione më të larta aty, gjithmonë duke u udhëhequr nga parimet e tij të pakompromis.

I biri, Damian Gjiknuri, përpos emocioneve në këtë moment të rëndësishëm, foli pa dorashka për sfidën që e ndjek si i biri i akademikut dhe i një personaliteti që ndoqi vetëm idealet e tij.

“Patjetër që në politikë bën dhe kompromise. Ndonjëherë jo të gjitha ato që mendon i mbijeton forcave të kohës por unë gjithmonë jam munduar t’i them vetes sime, po të ishte babai im gjallë çfarë do të bënte në këtë drejtim dhe kjo ka qenë një lloj busulle orientimi”, u shpreh Gjiknuri.  

Autori Eris Rusi tregon për realizimin e veprës së tij, që nuk është vetëm biografike, por hedh dritë edhe mbi jetën personale të Lekë Gjiknurit.

“Është një ilustrim i të gjithë atyre ngacmimeve që ekzistenca e njeriut ka dhe që i ka të nevojshme t’i shërbejnë pastaj si një model dhe si një jehonë që i mbetet dhe për ata që do të vijnë”, tha Rusi.

Për miqtë e tij dhe kolegët me të cilët ai ndau jetën dhe etapat më të rëndësishme të karrierës, ky moment duhet të vlejë si një thirrje se mendjet duhet të vlerësohen jo vetëm pasi ikin, por sa janë edhe në të gjallë.

“Çdo njeri që iken nga kjo jetë është një bibliotekë që digjet e që nuk kthehet më dhe ka plot biblioteka të tilla që janë djegur dhe nuk është thënë një fjalë. Shumë pak flitet për të ndëruar njerëz të shquar”, tha Et’hem Ruka, studiues.  

“Do mbetet në mendjen dhe zemrën tonë si një koleg, pedagog i devotshëm, shkencëtar serioz”, u shpreh Rexhep Mejdani, ish-President i Shqipërisë.

“Ato çka sugjeron Leka për zgjedhje, po t’i zbatonte Damiani me Bylykbashin do kishim dalë nga kriza”, u shpreh Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave.

Në promovimin e veprës morën pjesë akademikë, studiues, por edhe politikanë të cilët ndanë kujtimet e tyre për këtë personalitet të shquar.

Tv Klan

/tvklan.al