Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë një draft rezolutë për Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të siguronte një mandat për një forcë ndërkombëtare stabilizuese në Gaza për të paktën dy vjet, duke shënuar hapin e radhës në planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund dy viteve luftë mes Izraelit dhe Hamasit.
Drafti, i konfirmuar për Associated Press nga dy zyrtarë amerikanë, është një model fillestar për negociata të gjera mes anëtarëve të Këshillit me 15 vende dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës, thanë se drafti po diskutohet dhe po ndryshohet bazuar në ato diskutime.
Vendet arabe dhe të tjera që kanë shprehur interes për të marrë pjesë në forcën stabilizuese kanë treguar se mbështetja e OKB-së për planin është e nevojshme për t’i bindur të kontribuojnë me trupa.
“Ajo që besojmë është se çdo entitet që krijohet në Gaza duhet të ketë legjitimitetin e një mandati nga Këshilli i Sigurimit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres për gazetarët në Doha.
Drafti u shpërnda të martën pasdite dhe është përgatitur si pikënisje për të gjetur konsensusin që do t’i jepte forcës stabilizuese dhe vendeve pjesëmarrëse një mandat ndërkombëtar.
Kina dhe Rusia, dy nga anëtaret e përhershme të Këshillit, ka gjasa të jenë kundërshtaret më të mëdha për SHBA-të, teksa përpiqen të miratojnë rezolutën pa u bllokuar nga ndonjë veto.
Drafti kërkon që forca të sigurojë “procesin e çmilitarizimit të Rripit të Gazës” dhe “çmontimin e përhershëm të armëve nga grupet e armatosura jo-shtetërore.” Një nga pyetjet kryesore në planin me 20 pika të Trump-it për armëpushim dhe rindërtim në territor është mënyra se si do të çarmatoset Hamasi, i cili nuk e ka pranuar plotësisht këtë hap.
Drafti do t’u jepte vendeve pjesëmarrëse në forcën stabilizuese një mandat për të siguruar rendin në Gaza deri në fund të vitit 2027, duke punuar me një “Bord Paqeje” që ende nuk është krijuar dhe që do të qeveriste përkohësisht territorin. Drafti kërkon që forca të konsultohet dhe bashkëpunojë ngushtë me Egjiptin dhe Izraelin.
Teksti gjithashtu thotë se trupat stabilizuese do të ndihmojnë në sigurimin e zonave kufitare, së bashku me një forcë policore palestineze që ata e kanë trajnuar dhe verifikuar, si dhe do të koordinohen me vende të tjera për të siguruar rrjedhën e ndihmës humanitare.
Drafti po ashtu thekson “rivendosjen e plotë” të ndihmës për Gazën nga Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe, duke siguruar që furnizimet e nevojshme të mos devijohen.
Hamish Falconer, ministri britanik për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, i tha AP-së së fundmi se fokusi për Mbretërinë e Bashkuar është të sigurojë që armëpushimi i brishtë të mbahet dhe që ndihma e shtuar të vazhdojë. Ai tha se faza e dytë e planit të Trump-it, ngre shumë pyetje dhe se zbatimi i fazës së parë ende nuk ka përfunduar.
Falconer tha se është e rëndësishme që çdo forcë stabilizuese në Gaza të “mbështetet nga një mandat i Këshillit të Sigurimit.”
/tvklan.al












Botërori 2026 
