Ora policore si opsion nëse masat e reja nuk japin rezultate

Kufizimi i numrit të personave në transportin publik deri në 50%, ndalim i tërësishëm për çdo lloj ngjarje dhe orari i punës i të gjitha objekteve ekonomike të jetë deri në 23, janë një pjesë e masave që Komisioni për Sëmundje Infektive mund t’i propozojë Qeverisë të hënën, nëse trendi i rritjes së rasteve të reja me Covid 19 vazhdon gjatë fundjavës.

Rekordet e reja të të infektuarëve me Covid 19 në Maqedoninë e Veriut ulën sërish në tavolinë Komisionin për Sëmundje Ngjitëse dhe Ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe për të shqyrtuar situatën tashmë shqetësuese me virusin korona por edhe për të diskutuar rreth masave të reja restriktive. Komisioni për Sëmundje Infektive dhe Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe të Hënën do t`i propozojnë Qeverisë që të miratojë masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Pas evaluimit të situatës në ditët e fundit dhe gjatë fundjavës, në qeveri do të propozohet ky paket i masave gjatë ditës së hënë.  Kufizimi i numrit të personave në transportin publik deri në 50%, ndalim i tërësishëm për çdo lloj ngjarje dhe orari i punës i të gjitha objekteve ekonomike të jetë deri në 23”, thotë Venko Filipçe.

Epidemiologu Zharko Karaxhovski thotë se, sipas analizave të ditëve të fundit, infektimet përhapen në ngjarje, koncerte dhe ahengje. Sipas tij, grupmosha më e goditur është nga 20 deri 39 vjec, të cilët nuk i kanë respektuar masat për mbrojtje nga virusi.

Eventet, ahengjet, ngjarje, grupimi dhe mosrespektimi i masave. Ajo që e themi është se grupimi, mbajtja e distancës, bartja e masës dhe dezinfektimi janë bazike. Është fakt se nuk janë respektuar. Vetëm në Francë ka, në asnjë vend tjetër në Evropë nuk ka. Ne për momentin nuk e mendojmë, por nëse asgjë nuk respektohet, çfarë na mbetet në pas të propozojmë”, shprehet epidemiologu.

Kryeministri Zoran Zaev duke komentuar paralajmërimet për masat e reja shtrënguese, shprehet se është I tmerruar nga shifrat e fundit me COVID-19, por se do të respektohen sygjerimet që do të vijnë nga Komisioni për Sëmundje Infektive. Ai, personalisht është kundër mbylljes së tërësishme, por përkrah masat që do të parandalonin përkrahjen e virusit.

 “Të gjithë sugjerimet e reja që do të vijnë nga Komisioni do t`i respektojmë, njëkohësisht, personalisht unë nuk jam mbështetësi i “LOCK DOWN”, nuk jam mbështetës i mbylljes, nuk jam mbështetës i orës policore, por jam mbështetës për gjithçka që do të mund ta ndalte përhapjen e infeksionit”, thotë Zaev.

Për tre ditët e fundit autoritetet e shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut kanë raportuar për 1060 raste të reja me COVID-19 dhe 18 viktima. Shqetësuese sipas tyre paraqitet rritja enorme e rasteve ditore. Nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse kanë njoftuar se në listën e masave shtrënguese gjendet edhe ora policore, që do të aplikohej nëse masat e reja nuk japin rezultate të dukshme.

Tv Klan