Pas më shumë se katër orësh, ka përfunduar dhe protesta e tetë e qytetarëve në Tiranë këtë të diel, 7 qershor.

Qytetarët marshuan nga sheshi ‘Skënderbej’, drejt Kryeministrisë, e më pas në rrugët e kryeqytetit për ta përfunduar sërish tek sheshi.

Ashtu sikurse dhe ditët e tjera, nuk mungojnë pankartat dhe thirrjet patriotike të qytetarëve.

Një nga kërkesat e mijëra qytetarëve të pranishëm është dorëheqja e kryeministrit, Edi Rama.

Marshime u mbajtën njëkohësisht edhe në Shkodër me të njëjtin motiv.

Gjithashtu edhe në Korçë qytetarët marshuan në rrugët e qytetit.

Siç është bërë traditë, qytetarët mbajtën fjalime nga podiumi i ngritur përpara kryeministrisë dhe kërkesa e tyre e përbashkët ishte transparenca, kushte më të mira dhe dorëheqja e qeverisë.

Por, një fëmijë 10-vjeçar humbi përgjatë turmës. Në ndihmë, qytetarët u ulën dhe brenda disa minutave u arrit gjetja e vogëlushit.

Sikurse është parë këto ditë, imagjinata për të përcjellë pakënaqësitë ndaj qeverisjes aktuale ka qenë mjaft e madhe. Vëmendjen kësaj here e ka marrë një gomone, e cila ka qenë mes të pranishmëve në tubim, si një mesazh për mos largimin më të të rinjve dhe rikthimin e emigrantëve në atdhe.

“Shqipëri e Re” është një nga artikulimet më të fundit të bëra në protestë. Deri më tani nuk është infiltruar nga partitë politike në vend dhe qëndron në thelb qytetare.