Me pankarta në duar “Duam ujë”, “Vlora do ujë”, përfaqësues të opozitës vërshuan drejt skenës së teatrit Petro Marko, ku do të mbahej mbrëmja Gala e festave të fundvitit.
Për shkak të situatës, artistët janë larguar nga skena dhe është anuluar eventi. Për të qetësuar situatën ka ndërhyrë policia, e cila ka shoqëruar disa persona.
Kujtojmë se prej tre ditësh, qyteti i Vlorës ka mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm. Një defekt i shkaktuar në tubacionin kryesor ka lënë të gjithë qytetin pa ujë.
Me bidona e ç’të munden, qytetarët e Vlorës i janë drejtuar burimeve natyrore për të mbushur ujë. Ndërsa spitali rajonal, ai psikiatrik, si dhe institucionet e veçanta janë furnizuar përmes autobotëve të zjarrfikëses.
Gjendja është bërë edhe më e vështirë, pasi depozitat e ujit në banesa janë boshatisur dhe familjet, edhe pse ditë festash, nuk kanë as ujë për t’u larë. Për banorët, kjo situatë është e papranueshme. Ndërkohë, prej tre ditësh po punohet për rikthimin e furnizimit në normalitet, por procesi ka hasur vështirësi.
Pas dy ndërhyrjeve, ku u tentua një zgjidhje alternative, presioni i lartë i ujit ka shkaktuar sërish çarje të tubacionit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit. Ujësjellësi deklaron se po punohet për gjetjen e një zgjidhje provizore, por ende nuk është bërë e mundur.












Botërori 2026 