24 qershor 2026- Prej më shumë se tre javësh, qytetarët shqiptarë vijojnë protestën me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.
Një pjesë e protestuesve u grumbulluan fillimisht te sheshi “Skënderbej” e më pas marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u bashkuar me pjesën tjetër përpara godinës së Kryeministrisë.
Pavarësisht reshjeve të shiut, protestuesit vijojnë qëndrimin në bulevard, duke ripërsëritur pesë kushtet e tyre.
I ndodhur përballë thirrjeve të tilla, kryeministri Edi Rama ka vijuar normalisht detyrën e tij, duke shtuar se Shqipërinë nuk do la lëshojë në duart e zhurmuesve.
Gjatë reagimeve publike, Rama ka pretenduar se pas protestës qëndrojnë “hije” të Iranit, madje ka pohuar se një prej emrave është Dritan Goxhaj.
Ky i fundit, dy ditë më parë, lexoi deklaratën me pesë pika, ku mes të tjerash kërkohej krijimi i një qeverie tranzitore, dorëheqja e Ramës si dhe ndryshime kushtetuese, mbi bazën e të cilave të kufizohej mandati i kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Pesë kërkesat e shpalosura nga protestuesit
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë:
– ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
– ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
-kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4- Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
-Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
-Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
– Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
– Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5- Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Kreu i qeverisë është gjithashtu i bindur se protesta nuk do të ndikojë në qëndrueshmërinë e qeverisë së tij, duke theksuar se në fund, sipas tij, do të ketë dy fitues: Partia Socialiste dhe qeveria.
“Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, ka pohuar Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 