U mbajt edhe sot më 23 qershor protesta e qytetarëve në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.

Kjo është dita e 24-tërt e protestës së qytetarëve kundër qeverisë. Protesta nisi kundër projektit në Zvërnec.

Çfarë ndodhi sot në protestë

Në tubim foli edhe aktivisti, për të cilin Rama bëri një publikim sot në mëngjes në rrjetet sociale.

Aktivisti nënvizoi se Rama tentoi që ta bënte mik, por se ai nuk mund të bëhet palë me qeverinë, teksa hodhi akuza në drejtim të mazhorancës për korrupsion. Më tej, vlerësoi se Rama nuk mund të qajë hallet e tij, pasi është personi që ka shkaktuar halle e probleme tek shqiptarët.

Po ashtu, aktivistët valëvitën ‘flamingo’ karikaturë, duke kërkuar që të mbrohet ky shpend, që jeton në zonën e Zvërnecit.

Sërish u përsërit thirrja për kreun e qeverisë për të dhënë dorëheqjen, teksa kishte ankesa se ka bërë jetesën e papërballueshme.

Çfarë kërkojnë protestuesit?

Protestuesit prej kohësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit të tij qeveritar. Si çdo ditë tjetër, edhe sot, protestuesit janë grumbulluar tek Sheshi Skënderbej e më pas kanë marshuar drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit,  duke u bashkuar me pjesën tjetër të qytetarëve, përpara Kryeministrisë.

Pikërisht përpara Kryeministrisë është ngritur një qendër zëri, nga ku protestuesit mund të marrin fjalën dhe të thonë atë që mendojnë.

Gjatë ditës së djeshme, Dritan Goxhaj përmendi edhe kërkesat kryesore të protestuesve, ku si kryekërkesë është dorëheqja e kreut të qeverisë Edi Rama. Kryeministri ka replikuar me Goxhajn, duke thënë se ai është zëdhënës i Iranit. Rama publikoi disa shkrime të Goxhajt, ku ky i fundit mbante qëndrime pro Iranit e kundër Izraelit. Kreu i qeverisë ka publikuar sot edhe një tjetër dokument, sipas të cilit Goxhaj nuk ka pranuar të luftojë me UÇK-në.

Edhe sot, protestuesit mbajnë në duar flamuj kuq e zi, flamuj të SHBA-ve dhe pankarta të ndryshme, ku bëhet fjalë për thirrje për dorëheqjen e qeverisë. Në protesta nuk ka munguar edhe simboli i flamingos, pasi ambientalistët pretendojnë se flamingot rrezikohen të zhduken nga investimet në Zvërnec.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka thënë se investimi në Zvërnec nuk e dëmton bio-diversitetin në zonë.