25 qershor 2026- Qytetarët janë mbledhur sërish përballë kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë që ai drejton.
Në ditën e 26-të të protestës, qytetarët janë nisur fillimisht siç është bërë zakon nga sheshi “Skënderbej” për të vijuar në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Gazetari i TV Klan, Merin Maçi, raporton se aktualisht numri i pjesëmarrësve nuk është i lartë, megjithatë pritet një rritje e tyre në orët pasuese.
Protestuesit vijojnë t’i qëndrojnë atyre pesë pikave të shpalosur, tre ditë më parë, ku veç kërkesës për largimin e Ramës, kanë kërkuar krijimin e një qeveria tranzitore me mandat 12 mujor si dhe disa ndryshime kushtetuese.
“Ka nisur protesta dhe siç është traditë, të pakën në 25 ditët e mëparshme, por edhe në këtë protestë të 26-të, protestuesit e kanë nisur me një fjalim në sheshin “Skëndërbej” nga ku nisi edhe marshimi në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara kryeministrisë. Nuk bëhet me dije nëse ka ndryshime në pikat që ata kërkojnë, por aktualisht që po flasim dëgjohen thirrjet e përditshme, të cilat i drejtohen kryeministrit Edi Rama për dorëheqje, por edhe të gjithë klasës politike”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama, përkundër thirrjeve për largim, ka mbrojtur argumentin e tij se në protestë ka elementë, të cilët përfaqësojnë interesa të vendeve jo mike të Shqipërisë.
Për ta vulosur këtë deklaratë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, firmosi vendimin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, shqiptaren nga Kosova, Igballe Huduti (Berisha).
Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetaseje vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Ndërkaq, Policia e Tiranës njoftoi sot ka proceduar penalisht 11 protestues, të cilët sipas saj kanë penguar lirinë e qarkullimit në kryeqytet dhe kanë shkelur lejen dhe vendin e tubimit.












Botërori 2026 