500 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë italianë me leje qëndrimi në vendin tonë do të përfitojnë nga skema e pensioneve, duke mos humbur asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku kanë punuar. Parlamenti pritet të ndezë dritën jeshile, ku sikundër mazhoranca edhe opozita ka deklaruar votën “pro” kësaj marrëveshje.

Gjatë seancës plenare Ministri I Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe shpjegoi edhe objektin e kësaj marrëveshje.

“janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësinë. Përfitimet nga skema italiane përfshijnë sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar; trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar në sektor të ndryshëm dhe trajtimin e ndarë të këtij sigurimi të përgjithshëm të detyruar; sigurimin për sëmundjet ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrëlindja; sigurimi i papunësisë dhe skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit të krijuara nga kategori të caktuara punonjësish”.

Marrëveshja për njohjen e pensioneve parashikon që periudha e sigurimit e realizuar në njërin shtet të njihet edhe nga shteti tjetër, me kusht që të mos mbivendosen. Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet.

Që prej vitit 2005, Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, mes të cilave me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.

Pritet të hyjnë në fuqi dhe marrëveshjet me Malin e Zi, e Bullgarinë. Ndërsa në proces janë marrëveshjet me Poloninë dhe Serbinë. Dakordësi për fillimin e negociatave kanë shprehur vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që në proces negociatash për arritjen e një dakordësie vendi ynë ka edhe me Francën.

Tv Klan