Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artjol Saliasi, dhe drejtori i financës dhe shërbimeve mbështetëse në këtë institucion, Gëzim Sala, akuzohen për shpërdorim detyre.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sipas Prokurorisë, ata kanë mundësuar punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin në Rinas bashkë me Gilmando Danin.
Hetimet zbuluan se Shaljani ishte emëruar në AMP pa kaluar asnjë nga procedurat e detyrueshme ligjore. Sipas Prokurorisë, punësimi i tij u krye në shkelje të rregullores përkatëse të institucionit dhe nuk u ndoqën fazat standarde të rekrutimit, si shpallja e vendit vakant, ngritja e komisionit të vlerësimit, testimet, verifikimet dhe përzgjedhja përfundimtare. Verifikimet e Prokurorisë zbuluan ndër të tjera se dokumentacioni për punësimin është përgatitur nga Gëzim Sala, ndërsa vendimi është marrë nga drejtori i komanduar i asaj kohe, Artjol Saliasi.
Të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve, dhe pavarësisht kësaj, sipas Prokurorisë, kanë vijuar procedurën duke futur në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.
Urdhri i punësimit është justifikuar me “nevoja emergjente”, por sipas dëshmive dhe verifikimeve, nuk ka pasur asnjë kërkesë reale nga strukturat përkatëse për një rekrutim të tillë.
40-vjeçari kishte kërkuar të punësohej në AMP më 9 shtator të vitit të shkuar dhe u punësua brenda 6 ditësh. Rezultoi gjithashtu se Muçi Shaljani u pagua me rrogë të rregullt nga data 16 shtator deri më 11 nëntor 2025, kur edhe u krye atentati, pavarësisht se nuk ishte paraqitur asnjëherë në punë. Ditën e ngjarjes atij iu gjet edhe një dokument i falsifikuar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 