Një përplasje e paprecedentë po merr formë në futbollin botëror. Gianni Infantino përballet me sfidën më të madhe të mandatit të tij, ndërsa një aleancë e fuqishme mes tre konfederatave më të mëdha të futbollit botëror duket e vendosur t’i japë fund drejtimit të tij në krye të FIFA-s.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, drejtuesit e tre konfederatave kanë përgatitur një plan veprimi në rast se Infantino vendos të kandidojë për një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit 2027.
Strategjia parashikon bojkotimin e mbledhjeve të Këshillit të FIFA-s, por edhe një skenar shumë më radikal, organizimin e turneve ndërkombëtarë paralelë, jashtë strukturës së FIFA-s.
Në prapaskenë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, konsiderohet figura kryesore e kësaj nisme.
Mediat franceze raportojnë se ai po shqyrton edhe bojkotin e Kupës së Botës për Klube në vitin 2029, ndërsa mbështetja e tij mund të shkojë për presidentin e PSG-së dhe njëherazi kreun e Shoqatës Evropiane të Klubeve, Nasser Al-Khelaifi, nëse ky i fundit vendos të kandidojë për presidencën e FIFA-s.
Edhe në aspektin institucional, pozitat e Infantinos duken më të brishta se kurrë. Me 55 federata anëtare, UEFA ka votat e nevojshme për të kërkuar thirrjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm të FIFA-s.
Ndërsa së bashku me dy Konfederatat e tjera kontrollon 143 vota, më shumë se shumica e thjeshtë e nevojshme për të miratuar një mocion mosbesimi ndaj presidentit aktual.
Në të njëjtën kohë, raportime nga mediat amerikane flasin për përpjekjet e Infantinos për të siguruar mbështetje politike në Shtetet e Bashkuara, mes zërave se ai ndihet gjithnjë e më i izoluar.
Ndërkohë, disa federata evropiane kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin më në zgjedhjet e ardhshme.
Me zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 që afrohen, beteja për drejtimin e FIFA-s ka hyrë në një fazë vendimtare dhe mund të prodhojë krizën më të madhe politike në historinë e institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
