Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se ekzistojnë mundësi për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë, duke theksuar se kontaktet me Kievin dhe administratën amerikane po vijojnë.
“A ka mundësi për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë? Sipas mendimit tim, po, ka”, tha Putin gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok. Ai shtoi se “kontaktet me Ukrainën po vazhdojnë”, ndërsa po zhvillohet edhe dialogu me përfaqësuesit e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, të angazhuar për bisedimet me Rusinë.
Sipas Putinit, ky dialog “po funksionon”. Deklaratat vijnë në një kohë kur janë shtuar zërat për kontakte të reja diplomatike, ndërsa në javët e fundit është raportuar edhe për një vizitë të mundshme në Moskë të të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Trump.
Megjithatë, Putin tha se kërcënimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ta bërë hapësirën ajrore ruse “totalisht të pasigurt” për fluturimet civile, përmes sulmeve me dronë, “vështirëson mundësinë e zhvillimit të negociatave dypalëshe të paqes”.
Kreu i Kremlinit e cilësoi këtë si një “akt terrorizmi shtetëror” dhe paralajmëroi se ata që heshtin apo nuk i kushtojnë vëmendje këtyre zhvillimeve “bëhen bashkëpunëtorë të terrorizmit ndërkombëtar”, duke iu referuar veçanërisht aleatëve perëndimorë të Ukrainës. Deklaratat e Putinit janë raportuar nga agjencia ruse Interfax.
/tvklan.al












Botërori 2026 
