Kievi dhe rajonet përreth u goditën gjatë natës. Mes viktimave janë edhe punonjës hekurudhorë dhe dy fëmijë. Rusia thotë se shënjestroi objektet ushtarake dhe energjetike.

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur, mes tyre dy fëmijë, pas një vale sulmesh ruse me raketa dhe dronë gjatë natës në Kiev dhe në rajonet përreth, bëjnë të ditur autoritetet ukrainase.

Në kryeqytet, gjashtë nga tetë viktimat ishin punonjës të kompanisë shtetërore hekurudhore Ukrzaliznytsia, pasi një depo u godit gjatë sulmeve. Në tre zona të Kievit u raportuan gjithashtu zjarre.

Situata ishte e rëndë edhe në qytetin e Borispolit, ku një ndërtesë banimi u godit dhe për pasojë humbën jetën katër persona.

Nga ana tjetër, ushtria ruse deklaroi se kishte kryer një “sulm masiv me armë me precizion të lartë”, duke pretenduar se objektivat ishin infrastruktura “ushtarako-industriale dhe e karburanteve dhe energjisë” në Ukrainë.

Sulmet nuk u kufizuan vetëm në territorin ukrainas. Në rajonin rus të Belgorodit, pranë kufirit me Ukrainën, një person u vra nga sulmet ukrainase, sipas guvernatorit në detyrë Aleksandr Shuvaev.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën në mëngjes se rreth 350 punonjës të ekipeve të shpëtimit kishin punuar gjatë gjithë natës në Kiev dhe në zonat përreth për t’u ardhur në ndihmë të prekurve.

Zelensky deklaroi se Rusia kishte përdorur një “numër të konsiderueshëm dronësh reaktivë dhe raketash balistike”, ndërsa shtoi se sulmet kishin prekur edhe tetë rajone të tjera të Ukrainës.

Mes personave të prekur nga sulmet, sipas presidentit ukrainas, ishte edhe një shtetas indian.

Sulmet e fundit vijnë vetëm pak ditë pas një tjetër goditjeje të rëndë në rajonin e Kievit. Të premten, 38 persona u vranë pasi një depo armësh u godit nga sulmet ruse, duke shkaktuar shpërthime të predhave, minave dhe dronëve që ndodheshin brenda objektit.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, në një konflikt që vazhdon ende.

Ndërkohë, kryeministri indian Narendra Modi i bëri thirrje të hënën presidentit rus Vladimir Putin që t’i japë fund luftës, duke theksuar se çdo ditë e konfliktit e “kthen njerëzimin pas”.

India mbetet një blerëse e rëndësishme e naftës ruse, përfshirë naftën e shitur me çmime të zbritura nga Moska.

/tvklan.al