Paralajmërimi, pas deklaratës së Macron për dërgimin e trupave në Ukrainë

Vladimir Putin kërcënon Perëndimin me luftë bërthamore, nëse bëhet siç tha Presidenti francez Emannuel Macron.

“Ata po flasin për mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake të NATO-s në Ukrainë, por duhet të kujtojmë fatin e atyre që dikur sollën ushtritë në vendin tonë. Tani pasojat janë edhe më tragjike. Rrezikohet konflikt bërthamor, shkatërrim i qytetërimit, e kuptojnë këtë apo jo”?

Putin nuk i kurseu kërcënimet, ndonëse aleatët Perëndimorë si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kundërshtuan kategorikisht atë që Macron nuk e hodhi si propozim por thjesht nuk e përjashtoi si mundësi, pasi vlerësoi se siguria e gjithë Europës është në rrezik nëse rusët ia dalin të pushtojnë Ukrainën.

Në fjalimin vjetor përpara deputetëve dhe elitës politike ruse që u transmetua si në kohën e Bashkimit Sovjetik edhe nëpër salla kinemaje, Putin shpalosi planet për shtimin e madh të pranisë së ushtrisë ruse në kufijtë perëndimorë pas anëtarësimit të Finlandës në NATO. Rusia ndan tani me NATO-n një vijë kufitare prej gati 2400 kilometrash.

Tv Klan