Ekipet e emergjencave po vijojnë kërkimet në hotelin “Mira Mare” në Durrës, pasi dyshojnë se poshtë gërmadhave të objektit mund të ketë një person të pajetë.

Aty po kërkojnë ekipet nga Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Drejtuesi i grupit malazez thotë se qeni i tyre nuhati diçka dhe mendojnë se mund të ketë një viktimë. Për këtë arsye, kërkimet në hotelin “Mira Mare” nuk janë ndërprerë ende.

“Këtu është një skuadër nga Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Po përpiqemi të shohim në brendësi të kësaj ndërtese pasi nuk dimë saktësisht nëse ka viktima apo njerëz që mund të ndodhen ende nën ndërtesë. Natën e kaluar, qeni zbuloi diçka, por nuk dimë me saktësi çfarë është. Po vazhdojmë të kërkojmë dhe po përpiqemi të shohim në brendësi. Është e vështirë pasi e gjithë ndërtesa është e shkatërruar. Por gjithsesi do të shohim në brendësi sot”, thotë anëtari malazez i ekipit të emergjencave. /tvklan.al