Në mbledhjen e fundit, atë të datës 31 dhjetor, Këshilli i Ministrave do të miratojë amnisti penale për disa kategori personash të dënuar. Ministri i Drejtësisë, i cili lajmëroi nismën e qeverisë, sqaron se nga kjo amnisti do të përfitojnë afro 7 për qind e 5 mijë personave që ndodhen aktualisht në burgje.

Amnistia hap rrugën që 380 persona të përfitojnë lirimin e menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi, duke ulur në këtë mënyrë edhe popullimin në burgje me gati 7%.

Në dokumentin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, e cila do duhet të shqyrtohet në parlament në janar, kur nis edhe sesioni i ri, specifikohet se përjashtohen nga kjo amnisti personat që kanë qenë subjekt i hetimit dhe gjykimit nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.

Nuk përfitojnë krimet e rënda, korrupsioni apo veprat me rrezikshmëri të lartë, si dhe personat e hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga Gjykata e Posaçme.

Arsyet që çuan në ndërmarrjen e amnistisë, ministri i Drejtësisë thotë se lidhen me mbipopullimin e burgjeve, që ka ardhur si rezultat i paraburgimeve. Masat e dhëna nga gjykatat për të qëndruar në paraburg ndërkohë që personat janë në hetim, janë një shqetësim i artikuluar disa herë nga kryeministri si shkelje e të drejtave të njeriut, që ka sjellë një seri raportesh edhe nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian.

5 mijë persona ndodhen në burgje, më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Ky është një shqetësim i ngritur nga Këshilli i Europës. Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, por dobësi e sistemit. Është një akt parandalues dhe human përpara se të kthehet në krizë.

Për t’u miratuar në parlament, amnistia penale kërkon 84 vota. Amnistia e fundit u bë në vitin 2024, kur u liruan 700 të dënuar, ndërsa 400 të tjerë përfituan ulje dënimi.

Tv Klan

/tvklan.al