Qeveria i prezantoi sistemit të prokurorisë rekomandimet e saj për punën gjatë vitit 2026, duke i lidhur ato me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Në një takim në Prokurorinë e Përgjitshme, në prezencë të kryeprokurorit Olsian Çela, drejtuesit të SPAK, Klodjan Braho e drejtuesve të prokurorive në rrethe, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu renditi fushat kryesore ku duhet të fokusohen. 3 prej tyre i veçoi si më të rëndësishme.
“Rekomandimet e 2026 e trajtojnë evazionin fiskal si një prioritet e ndaj duhet bashkëpunim ndërinstitucional për ta luftuar këtë fenomen. E dyta është krimi kibernetik. Pastrimi i parave bëhet në kriptovaluta, grupet kriminale përdorin mënyra të ndryshme pastrami parash. E treta, kriminaliteti rrugor. Drejtimi pa leje drejtimi, drejtimi në gjendje të dehur janë prioritete, që kanë të bëjnë”, tha ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Kryeprokurori Olsian Çela, tha se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë dhënë kontributin e tyre në zbatim të rekomandimeve, por edhe për procesin e integrimit.
“Hetimi financiar dhe goditja e aseteve kriminale, në 2024 u sekuestruan mbi 60 milionë euro dhe në 2025 mbi 40 milionë euro asete. Kjo tregon se, megjithë vështirësitë që këto prokurori kanë, sepse punojnë me 50% të kapaciteteve, e kanë arritur këtë duke iu dhënë prioritet çështjeve më të rëndësishme”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, tha se rekomandimet do të analizohen nga institucioni që ai drejton.
“Analiza e rekomandimeve do të shërbejë se cilat masa mund të merren mënjeherë dhe cilat kërkojnë mbështetje financiare. SPAK synon që të jetë institucion i pavarur, i hapur për bashkëpunim, por edhe me integritet në hetimet e tij”, tha kreu i SPAK, Klodian Braho.
Takimi i kësaj të marte vjen në vazhdën e takimeve të përvitshme ku qeveria orienton mbi fushat e rëndësishme ku duhet të përqëndrohen hetimet.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 