Qeveria do të bëj rritje të re të pagave dhe pensioneve, një vendimmarrje që ka në themel performancën ekonomike të vendit që siç tha kryeministri Sali Berisha mbështetet në baza të shëndetshme.

Sali Berisha: “Është vendosur që të rriten rrogat dhe pensionet në përputhje në parashikim krahas këtij mbi dyfishimit të pensioneve të ulëta, ne vazhdojmë rritjen me përparësi pensioneve të ulëta, të rrogave të ulëta por dhe atyre mesatare për rrogat, sikundër do të indeksimi i rrogave të larta.”

Pasi njoftoi këtë vendimmarrje kryeministri u ndal dhe tek raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai tha se janë trillime komentet se qeveria nuk po dëgjon këshillat e FMN-së, zoti Berisha nënvizoi se nuk është pjesë e marrëveshjes me këtë institucion të rëndësishëm financiar mosrritja e pagave e pensioneve apo rritja e taksave.

Sali Berisha: “Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar me të madhe në të gjithë dokumentat e saj, suksesin e reformave ekonomike në Shqipëri. Në treguesin e kuadrit makroekonomik siç janë borxhi, inflacioni, dhe defiçiti buxhetor, realiteti dhe vendosmëria e qeverisë është absolute, për t’ju përmbajtur me rigorozitetin më të madh treguesve të shpallur. Ne nuk rrisim borxhin ndaj dhe në bëjmë një shqyrtim të buxhetit dhe marrëveshja jonë me FMN-në është mosrritja e borxhit. Nuk kemi firmosur kurrë marrëveshje për mosrritje rrogash. I ftoj mediat mos bien viktimë e keqinformimit të disa grupeve të caktuara, nuk kemi shkelur e nuk po shkelim asnjë lloj premtimi. Ne nuk kemi marrëveshje për rritjen e taksave me FMN, përkundrazi ne jemi shprehur qartë, e kemi në ligjin tonë, “do rrisim rrogat” thotë ligj, e kemi në ligjin tonë taksën 10%.

Kryeministri i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me FMN-në. Ai tha se qeveria mbetet e vendosur t’i shkojë deri në fund projektit të saj për zhvillimin e vendit, urbanizimin e zonave rurale, dhe ndërtimit të infrastrukturës më moderne. Zoti Berisha ripërsëriti se qeveria që drejton nuk po shkel marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Sali Berisha: “Fondi Monetar Ndërkombëtar është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë por rrogat do rriten, rrugët do ndërtohen, se pastaj nuk mund të mbetemi vend i prapambetur. Ne kemi një projekt “Shqipëria vend i zhvilluar”, jo vetëm që nuk ka cënim të marrëveshjes me Fondin Monetar, por ka një respektim rigoroz të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ka një këshill nga FMN, të ngremë rrogat dhe pensionet dhe absolutisht është dashamirëse.”

Në kuadër të politikës për rishikim të buxhetit, kryeministri paralajmëroi shkurtime të shpenzimeve. Kjo do të ndodhë sipas një plani të hartuar nga Ministria e Financave.

Sali Berisha: “Shkurtime do të bëhen, propozimi i Ministrisë së Financave është shumë i studiuar. Unë e kuptoj që është shumë i dhimbshëm por më i dhimbshëm është të lësh pa rritje pensioni pensionistin. Më e dhimbshme është të mos rrisësh rrogat e administratës dhe t’i ngrish ato, e cila ka bërë dhe po bën gjithë këtë punë. Më e dhimbshme është të rrisësh taksat për bizneset.”

Gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri u kujdes të nënvizojë performancën ekonomike të vendit, falë së cilës siç tha, janë rritur ndjeshëm pagat dhe pensionet. Investimet e huaja kanë njohur rritje me 10 herë më shumë se në vitin 2005 gjithashtu edhe turizmi./tvklan.al