Në qytetin jemenas të Taizit, të rrethuar nga luftëtarët Houthi, jeta është kthyer në një betejë të përditshme për mbijetesë. Ashuaq, një nënë e tre fëmijëve, përpiqet të mbrojë të birin 11-vjeçar nga tmerri i luftës, duke i thënë se shpërthimet që dëgjon janë thjesht fishekzjarrë.
Por ajo e di se djali është mjaftueshëm i rritur për të kuptuar se çfarë po ndodh rreth tij, pasi pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar mes luftimeve. “Ndonjëherë më duket sikur qyteti është kthyer në një burg gjigant”, rrëfen ajo.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm muajin e kaluar, kur forcat Houthi e rrethuan plotësisht qytetin, duke ndërprerë lidhjet e tij me pjesën tjetër të vendit. Taizi, ku jetojnë rreth 600 mijë deri në një milion banorë, po përballet me mungesa të rënda ushqimesh, ilaçesh, uji dhe karburanti. Çmimet e produkteve bazë, si orizi, sheqeri dhe vaji, janë dyfishuar ose trefishuar, ndërsa shkollat janë mbyllur dhe restorantet kanë pezulluar aktivitetin.
Mbeturinat grumbullohen në rrugë dhe djegia e tyre krijon tym toksik, duke e bërë edhe ajrin një tjetër rrezik për banorët. Ndërkohë, nga kodrat përreth, snajperët dhe luftëtarët Houthi vazhdojnë të godasin qytetin.





Pasojat e rrethimit janë veçanërisht të rënda për fëmijët dhe të plagosurit. Një mjek në qytet tregon se së fundmi në spital janë dërguar katër fëmijë të qëlluar nga snajperët e Houthive, dy prej të cilëve nuk kanë mundur të mbijetojnë. Edhe për ata që arrijnë të marrin ndihmë mjekësore, situata është kritike.
Familjeve u duhet të ecin për orë të tëra për të mbërritur në spitale, ndërsa mungojnë edhe materialet më bazike për ndërhyrjet kirurgjikale. Një prej spitaleve kryesore ka rezerva për të funksionuar vetëm edhe dy javë, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm i sistemit shëndetësor është reduktuar ndjeshëm.
Guvernatori i Taizit, Nabil Shamsan, paralajmëron se banorët nuk po vdesin vetëm nga bombardimet dhe plumbat, por edhe nga uria, mungesa e furnizimeve dhe pamundësia për të siguruar të ardhura. Sipas tij, spitalet kanë humbur 70% të kapaciteteve dhe 120 qendra shëndetësore janë mbyllur.
Sëmundjet po përhapen, kequshqyerja po rritet dhe qindra pacientë me probleme të veshkave nuk po arrijnë të marrin dializën. Ndërsa lideri i Houthëve, Abdul Malik al-Houthi, mohon se qyteti është nën rrethim dhe pretendon se rrugët për furnizimin me ushqime, ilaçe dhe ndihma humanitare janë të hapura.
Banorët, qeveria jemenase, organizatat humanitare dhe OKB-ja e kundërshtojnë këtë pretendim.












Botërori 2026 
