Tensionet vazhduan gjatë fundjavës në Lindjen e Mesme, ku forcat e mbështetura nga Arabia Saudite u tërhoqën në betejën kundër rebelëve Houthi në Jemen, ndërsa Irani lëshoi dronë drejt bazave amerikane në Bahrein.

Në Jemen, aleatët e Arabisë Saudite, të cilët luftojnë në emër të qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, u tërhoqën nga ngushtica Bab el-Mandeb për të mbrojtur kryeqytetin e tyre të përkohshëm, Adenin, në bregdetin jugor.

Kjo lëvizje njoftoi siç duket, fundin e një kundërofensive gjashtëjavore të qeverisë për t’i dëbuar rebelët e mbështetur nga Irani nga hyrja e Detit të Kuq, me qëllim sigurimin e një rruge kyçe për transportin e naftës.

Tashmë militantët Houthi kanë më shumë mundësi të avancojnë më tej drejt Adenit, në bregdetin jugor.

Ndërkohë, Irani sulmoi me dronë Bahrenin, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë Amerikane në Gjirin Persik. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit deklaruan se kishin sulmuar një bazë ushtarake amerikane në Bahrejn me gjashtë dronë, si kundërpërgjigje ndaj atyre që i cilësuan “veprime armiqësore të Shteteve të Bashkuara”.

Megjithatë Ushtria e Bahreinit njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kapën dhe shkatërruan dronët “para se ato të mund të arrinin objektivat e tyre”.

Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit kanë qenë më të ulëta në krahasim me disa muaj më parë dhe negociatorët iranianë kishin diskutuar me ndërmjetësit një propozim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, me kusht që SHBA të përmbushë shtatë kërkesa të cilat përfshijnë heqjen e bllokadës detare dhe zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira.

Megjithatë, javën e kaluar Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të interesuara për një marrëveshje që t’i jepte fund luftës me Iranin dhe e udhëzoi zëvendëspresidentin JD Vance që të përqendrohet te politika e brendshme amerikane.

/tvklan.al