Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend sot më 18 nëntor, gjatë diskutimeve për Buxhetin 2027, se qeveria do të ndërmarrë një qasje të re për politikat e strehimit, me synimin për të lehtësuar aksesin e të rinjve në banesa dhe për të mbështetur familjet e reja.
Rama theksoi se strehimi nuk duhet të kthehet në një mundësi të paarritshme për ata që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. “Ne nuk mund të pranojmë që të rinjtë të vuajnë për të pasur një banesë. Një qytet nuk mund të bëhet i paarritshëm për njerëzit që jetojnë aty”, u shpreh kryeministri, duke paralajmëruar masa të reja në këtë drejtim.
Sipas Ramës, nga qasja e re për strehimin pritet të përfitojnë rreth 10 mijë familje. Ai u ndal edhe te debati për ndërtimin e kullave, duke deklaruar se qeveria nuk do të ndërmarrë masa kundër tyre, pasi taksat që paguhen nga ky sektor përdoren për financimin e politikave sociale. “Ne nuk do të sulmojmë kullat, sepse taksat për kullat shkojnë për politika sociale”, tha Rama.
Një tjetër masë e paralajmëruar është rritja e taksimit për apartamentet që mbahen bosh dhe nuk hidhen në tregun e qirave. Kryeministri argumentoi se kjo nismë synon të nxisë përdorimin produktiv të banesave dhe të rrisë ofertën në tregun e qirave, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë mundësi për të gjetur një shtëpi. Sipas tij, nuk mund të vazhdohet me një realitet ku apartamentet mbahen të pashfrytëzuara, ndërkohë që kërkesa për strehim mbetet e lartë.
Krahas politikave të strehimit, Rama njoftoi edhe mbështetje financiare për familjet e reja përmes bonusit të bebeve, i cili do të jepet deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës.
Bëri të ditur gjithashtu se qeveria synon të dyfishojë pagesat për fëmijët me aftësi ndryshe. “Ne jemi për të mbrojtur familjen”, deklaroi kryeministri, duke i paraqitur këto masa si pjesë të politikave sociale që parashikohen në Buxhetin e vitit 2027.
/tvklan.al












Botërori 2026 