Tre avionë për shuarjen e zjarreve do t’i shtohen kapaciteteve të Emergjencave Civile deri në fund të këtij viti.
Gjatë një takimi me zjarrfikësit dhe strukturat e angazhuara në përballimin e flakëve, në Bazën ajrore të Farkës, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Shqipëria do t’i ketë në pronësi këta avionë, ndërsa në raste emergjencash të mëdha do të ketë në dispozicion edhe mjete ajrore shtesë.
“Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë të cilët do të vijojnë në fund të vitit dhe do të jenë në pronësi të shtetit tonë, por kemi një proces të dakordësuar që në një moment nevoje të veçantë kemi në dispozicion edhe avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten dhe do të bëhen gati avionët e ri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se të gjithë efektivët e angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve do të përfitojnë menjëherë një pagë shtesë, duke u bërë thirrje edhe bashkive të ndjekin të njëjtin shembull për zjarrfikësit në varësi të tyre.
“I kam propozuar qeverisë që të gjitha forcave që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes të shpërblehen menjëherë dhe jo në fund me një pagë ekstra. U bëj thirrje edhe bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor dhe ta bëjnë menjëherë, pa pritur të mbarojë e gjithë beteja”, tha Rama.
Duke iu referuar situatës dramatike në Francë dhe Spanjë, ku zjarret kanë detyruar evakuimin e qindra mijëra banorëve, Rama theksoi se Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për t’u përballur me fenomene të ngjashme.
“Ajo që po ndodh në Francë dhe Spanjë nuk është diçka që duhet të na bëjë të pyesim nëse mund të ndodhë edhe tek ne, por vetëm sa të përgatitur jemi kur të ndodhë”, tha Rama.
Në të gjithë vendin deri më 24 korrik janë evidentuar 22 vatra zjarri.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
