Kryeministri kërkoi mbështetjen e parlamentit për projekbuxhetin e 2027, ndryshimet në paketën fiskale por dhe nismat ligjore që synojnë sipas tij të zbusin hendekun e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve përmes një rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave.
Sali Berisha dhe të tijët u larguan në shenjë injorimi kur Rama u pozicionua në foltore por kjo se pengoi kryeministrin që ta nis fjalimin duke ju drejtuar pikërisht kryedemokratit duke i kujtuar se njësoj si qeverinë e tij dhe partinë e tij protestuesit e refuzojnë ,e për Ramen kjo është edhe më e dhimbshme.
“Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian që në vitin 2027, pra në vitin që po troket, të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga Komisioni Europian, në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e me duar, me britma si të shurdhuar, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën. Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë, është gjëja më e natyrshme; të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta, është gjëja më e natyrshme. Po të jesh në opozitë dhe të mos të të pranojnë t’i afrohesh protestës, është gjëja më e dhimbshme dhe është fakti që qoftë dhe i vetëm, vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama.
Duke e nënvizuar disa herë se të gjitha nismat për zbutjen e kostove të larta të jetesës do ti kishin dashur ti bënin më parë por nuk donin të hapnin gropa si ato që trashëguan nga demokratët, Rama i mori një nga një të gjitha ndryshimet e propozuara duke nisur nga ulja e tvsh në 6 përqind për 54 produktet bazë të shportës që do të shoqërohen me kontrolle për të shmangur abuzimet nga tregtarët.
“Kjo masë do të shoqërohet edhe me fuqizimin e pasqyrës së çmimeve e cila ka filluar të japë rezultate inkurajuese dhe të mekanizmave të transparencës dhe të kontrollit të tregut sepse prova e vërtetë e kësaj politike të re nuk do të jetë përqindja që ne shkruajmë në ligj, por duhet të jetë çmimi që qytetari do të shohë në raftin e dyqanit”, tha Rama.
Rritja e tatimit për dividentin dhe pagat mbi 700 mijë lekë është e koordinuar për t’ju marrë më shumë atyre që fitojnë më shumë, filozofi që i solli në pushtet në 2013. E njëjta filozofi kryeministri shpjegon se është ndjekur për rritjen e pragut të tatueshëm me 23 përqind nga 200 në 300 mijë lekë.
Mbetet në fuqi deri në 2029 0 tvsh 0 tatim fitimi për bizneset e vogla.
Shpjegon përsen e heqjes së taksës së karburantit nga çmimi i naftës dhe kalimi si taksë vjetore.
Për pensionet indeksimi do të jepet në prill ndërsa do të mbahet premtimi për dyfishimin e rritjes që nisi në 2026.
“Nga 1 janari, të dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës me dyfishim dhe dyfishim dhe dyfishim, krahasimisht me vitin e parë që është ky i këtij procesi dhe kështu janë 20 miliardë ose rreth 200 milion euro në këtë buxhet që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët. Ndërkohë që indeksimi afrohet në muajin prill dhe për të është një fond shtesë prej 4 miliardësh ose 40 milionë eurosh. Apartamentet e reja që mbahen bosh do të taksohen më shumë dhe arsyeja sipas kryeministrit është për ti detyruar ti nxjerrin në tregun e qirave për të zbutur çmimet e larta”, tha Rama.
Vilat në bregdet dhe makinat e luksit po ashtu do taksohen më shumë.
Rama thotë se është krenar për projektligjin e strehimit social që është futur në rendin e ditës edhe pse opozita kërkoi të hiqet, kërkesë që u rrezua nga shumica socialiste.
Këtu u ndal të shpjegojë përse në Tiranë ende nuk ka përfunduar programi rindërtimit që lidhen sipas tij me faktin që Veliaj është në burg.
“Kemi një problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës. Kemi një problem sepse Bashkia e Tiranës ka dy vjet pa kokë. Kemi një problem sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe të rindërtimit nuk është vënë në lëvizje”, tha Rama.
Rritja e bursës për studentët që vijnë nga familje në nevojë, rritja dhe ndryshimi i skemës së bonusit për bebet apo dhe rritja e mbështetjes për fëmijët në nevojë apo me aftësi ndryshe të gjitha sipas kryeministrit vijnë vetëm tani sepse mundësitë u rritën vetëm tani.
Dhe ekonomia rritet sipas Ramës në mënyrë të veçantë nëse rriten investimet e huaja ndaj ai ndalet, pa e përmendur specifikisht, t’ju kthej përgjigje atyre që janë kundër investimeve të mëdha si ai i Zvërnecit.
Socialistët nuk kanë iluzione por vizion në qeverisje sipas Ramës e për këtë arsye do ti fitojnë dhe zgjedhjet e 9 majit dhe do ta çojnë vendin në 2029 në BE.
“Vizioni i Shqipërisë në Bashkimin Europian sot, jo mbas 10 apo 20 vjetësh dhe një Shqipëri në Bashkimin Europian, ku ka një rishpërndarje më të drejtë, ku rritja ekonomike nuk zgjeron hendekun mes Shqipërisë që ndryshon dhe njerëzve që përjetojnë në jetën e tyre të përditshme, jo të mirat, por pasojat e këtij ndryshimi dhe këtë hendek vetëm ne mund ta ngushtojmë sepse vetëm ne e shohim dhe vetëm ne e dimë se nga vjen. Jo ajo zonja “vjedhje, vjedhje, vjedhje” bashkë me atë që rrinte këtu edhe merr fjalën midis seancave kur sheh në internet se çfarë pantallonash blej”, tha Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 