Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin e dytë me raketa balistike që Irani ka kryer këtë të hënë, më 9 mars, ndaj Turqisë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama theksoi se ky sulm është shqetësues dhe tregon natyrën agresive dhe destabilizuese të veprimeve të regjimit iranian, ndërsa thekson se përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe thekson edhe më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.
Turqia është një vend mik dhe një partner strategjik i Shqipërisë dhe një Aleat i çmuar i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë ta përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare“, shkruan Rama në një postim në rrjetin social X.
Mes të tjerash, kryeministri Rama vlerësoi gjithashtu reagimin e shpejtë të NATO-s për mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve: “Shqipëria vlerëson reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë.”
Ky reagim erdhi pasi më herët sot, ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore të NATO-s kanë kapur dhe shkatërruar një raketë balistike të nisur nga Irani pas hyrjes së saj në hapësirën ajrore turke, me pjesë që ranë në qytetin e Gaziantepit pa shkaktuar viktima.
Sipas ministrisë, raketa ishte nisur nga territori iranian drejt hapësirës ajrore të Turqisë dhe u interceptua nga sistemet e mbrojtjes së aleancës NATO, të vendosura në Mesdheun Lindor. Mësohet se raketa u shkatërrua pasi hyri në hapësirën ajrore turke, dhe fragmentet e saj ranë brenda kufijve të Gaziantepit, në juglindje të Turqisë.












Botërori 2026 
