BE do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e tij. Ka qenë kjo deklarata e Kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, pas takimit 1 orë e 30 minuta me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Edi Rama.

“BE do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e tij, prandaj ne mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE dhe jemi fokusuar kryesisht në këtë rajon gjatë presidencës sonë të Bashkimit Europian”, tha Kurz.

Duke mbështetur deklaratat e kancelarit austriak, komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn tha se vendet e Ballkanit duhet të krijojnë  një zonë ekonomike rajonale si parakusht për integrimin e mëtejshëm në tregun e përbashkët europian.

“Për këtë është e rëndësishme të rrezohen barrierat qofshin formale apo informale, por edhe të prezantojmë elementë të reja. E rëndësishme është të rritet volumi tregtar midis vendeve dhe mund të shohim që për herë të parë nga 2016 në 2017 u verifikua një rritje e lehtë që është premtuese, e për këtë është e rëndësishme që vendet të tregohen më të shpejta për të gjetur dakordësinë midis tyre për një mori çështjesh duke rritur më tej bashkëpunimin ndër-rajonal”, tha Hahn.

Ndërsa foli për sfidat e bashkëpunimit  rajonal, kreu i qeverise shqiptare tha se Shqipëria mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

“Jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë, por jam i sigurt që do jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’i japim qytetarëve tanë atë që meritojnë.”

Rama u ndal edhe tek liberalizimi i vizave për Kosovën, për të cilën tha se mund të konkretizohet pas zgjedhjeve europiane në 2019.

Tv Klan