“Debati për kufirin detar, marrëzia e radhës”

Kriza politike në Bjellorusi do të jetë në qendër të mbledhjes që do të mbajë të premten Këshilli i Përhershëm i OSBE-së në  Vienë.

Një ditë para takimit, Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE-së, diskutoi për këtë çështje me Zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit, Stephen Biegun, ndërsa në një intervistë për Tv Klan nga kryeqyteti austriak, ai bëri të ditur se nisma e kryesisë shqiptare të kësaj organizate për zgjidhjen e krizës bjelloruse ka marrë një mbështetje të gjerë.

Por ai sqaroi se roli i OSBE-së nuk do jetë ndërmjetësues, por lehtësues i komunikimit mes qeverisë dhe opozitës bjelloruse.

“Kjo është përpjekje e OSBE. Mua më vjen mirë që nisma jonë mori vëmendje të tillë dhe mori mbështetje kaq të madhe. Është përgjegjësi shumë emadhe, por edhe që shkon në drejtim të një procesi ku OSBE nuk do të jetë ndërmjetëse apo negociatore, por do të jetë lehtësuese e një procesi komunikimi mes palëve që mungon plotësisht dhe që është i domosdoshëm në Bjellorusi”.

Ironitë e shprehura nga opozita lidhur me iniciativën e tij për të negociuar këtë krizë ndërsa ai vetë është i akuzuar për manipulim zgjedhjesh në Shqipëri, Rama i cilësoi një turp të madh që i bëhet Shqipërisë.

“Nuk është asgjë e re që opozita në Tiranë është mësuar të bëjë në gjuhë të huaj. Pra kur bëhet fjalë për angazhime jashtë Shqipërisë, është një turp i madh që për fat edhe më të keq, nuk e bën asnjë opozitë në Europë. Është turpi i tyre, unë jam mësuar. Këtu nuk është fjala për mua, këtu bëhet fjalë për Shqipërinë, këtu është fjala për përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë dhe mua më vjen shumë mirë, jam shumë krenar që ne kemi arritur që me Kryesimin tonë të OSBE, ta vendosim edhe Shqipërinë në një fokus tjetër dhe të rrisim respektin e partnerëve për Shqipërinë si një lojtar që kur merr një detyrë edhe në arenën ndërkombëtare, e luan me sukses”.

Kryeministri foli edhe për votimet që priten të mbahen të dielën në Mal të Zi duke sqaruar se mesazhi për të votuar partinë e Milo Gjukanoviçit ishte në kuadrin e bashkëpunimit të partive simotra dhe nuk u drejtohej shqiptarëve.

“Ne e kemi bërë përpjekje për t’i bashkuar faktorët atje, dhe ministri në detyrë, sot zv.ministër i Jashtëm Gent Cakaj, ka punuar intensivisht me faktorin shqiptar. Nëse do t’i bëja thirrje shqiptarëve për të mos votuar listën shqiptare, do ta bëja shqip siç e bëra sot. Ai ishte mesazh i kërkuar si kontribut nga partia simotër socialdemokrate e Presidentit Gjukanoviç. Ai mesazh (për Gjukanoviç), ishte bindja ime, dhe mesazhi për shqiptarët ishte mesazhi i sotëm”.

Rama e cilësoi marrëzi të radhës gjithë debatin e dy ditëve të fundit lidhur me deklaratën e Kryeministrit grek për zgjerimin e gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare. Sipas tij, i gjithë ky deiskutim bëhet në kuadër të luftës politike dhe nuk ka të bëj me të vërtetën.

“Kjo është marrëzia e radhës, por dhe poshtërsia e madhe e atyre që e nxisin publikun në këtë drejtim, nga padija e tyre më së shumti, por dhe nga qëllimet që lidhen me arsyen themelore, pushtet politik, pushtet mediatik. Greqia nuk shtrihet në ujërat territorial të Shqipërisë”.

Për Ramën deklarata e homologut të tij helen është korrekte dhe se ndarja e kufirit detar bëhet vetëm nëpërmjet të drejtës ndërkombëtare të detit.

“Deklarata e Kryeministrit të Greqisë për një shtrirje 12 milje në Detin Jon lidhet me ushtrimin e një të drejte që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit e vitit 1982 në Montego Bei, dhe është një e drejtë që Shqipëria e ka ushtruar në Mars të vitit 1990, duke depozituar në Kombet e Bashkuara dokumentin e këtij vendimi, pra është një vendim sovran i çdo shteti. Nuk është kufiri detar si gardhi mes dy parcelave, nuk është si kufiri tokësor. Ne jemi në këtë anë, rruga është në mes, dhe anën tjetër është një trotuar tjetër. Dhe ka ujëra territorial. Dhe ka ujëra ndërkombëtar, ujëra të ndërmjetëm, shellfi kontinental. Shtrirja e Greqisë në ato milje që tha Kryeministri është krejtësisht korrekte, është në të drejtën e vetë, është vendimmarrja e tyre, nuk ka lidhje me marrëveshjen tonë, nuk negociohet në marrëveshjen tonë, nuk ka lidhje çfarë mendon Shqipëria dhe çfarë thotë Shqipëria”. 

Për të diskutuar mbi këtë çështje, në Shqipëri pritet të vijë për vizitë edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Tv Klan