Kryeministri Edi Rama shprehet se zhvillimi i industrisë në vendin tonë është tregues që hedh poshtë të gjitha zërat kritik për forcimin e Lekut kundrejt monedhave të huaja.
Ai thotë gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do rrisë konkurrencën dhe pagat për punonjësit.
“Është vërtet kënaqësi dhe krenari që të vizitosh këtë realitet që kundërshton të gjithë ata zëra, të cilët në një moment të caktuar, qoftë nga brenda industrisë, material porositësi, qoftë nga jashtë vunë kujën që “forcimi i lekut ishte fundi i kësaj industrie, të gjithë do dilnin pa punë, etj, etj”, sepse ky realitet tregon që ajo çka ne e kemi mbajtur qëndrim qysh në krye të herës është e vetmja rrugë, rritja e cilësisë, rritja e kapaciteteve konkurruese dhe harrimi i historisë së vjetër, që krahu i lirë i punës është avantazh konkurrues në botën e sotme.
Hapi tjetër i futjes në BE do ta bëjë dhe më të lehtë për kompaninë si kompani europiane që të rrisë kapacitetet e veta, të rrisë fitimet e veta dhe pa diskutim të rrisë detyrimisht dhe mbështetjen financiare tuajën.
Të gjithë punonjësit e Shqipërisë duhet ta dinë, se momenti i hyrjes në BE ndryshon menjëherë edhe pagat, automatikisht. Duke u bërë anëtar të BE jemi njësoj si të thuash sot nuk ma jep dot këtë pagë këtu, po shkoj po e marr në Durrës po themi ose po shkoj po e marr në Korçë.
Siç sot për të shkuar në Korçë, për të shkuar në Durrës apo për të shkuar në Shkodër nuk ka nevojë as t’i kërkosh leje njeriu, as të thotë njeri ku po shkon, nesër e njëjta gjë do jetë brenda atij perimetri të madh të BE.”, tha Rama
Tv Klan